Thirrja e Ramës për ndihmë ndërkombëtare për zonat e prekura nga tërmeti tërheq median botërore

UASHINGTON, 1 dhjetor /ATSH/ – Thirrja që kryeministri Edi Rama i ka bërë ndërkombëtarëve për ndihmë për rindërtimin e vendit ka tërhequr vëmendjen e mediave prestigjioze si ”Washington Post”.

“Kryeministri i Shqipërisë tha sot se i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë financiare dhe për ekspertë për të ndihmuar në rindërtimin e vendit nga tërmeti me magnitudë 6,4 ballë që shkaktoi vdekjen e 51 personave dhe la mijëra të pastrehë”, shkruan WP.

“Rama tha se pavaresisht riformatimit të buxhetit për të kapërcyer krizën, vendi gjithashtu ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare”, shton ”Washington Post”.

WP gjithashtu citon fjalët e kreut të qeverisë gjatë mbledhjes së jashtëzakoshme mëngjesin e sotëm.

”Thjesht, është e pamundur ta bësh këtë rindërtim vetëm”, tha ai.

”Washington Post” shkruan se Rama u takua me një grup ambasadorësh mbrëmjen e së shtunës, përfshirë edhe ata të Bashkimit Europian, të SHBA-se, Turqisë dhe Japonisë ku u përcolli të njëjtin mesazh.

Tërmeti që goditi Shqipërinë la të paktën 3000 të lënduar dhe mijëra të pastrehë.

Tashmë, inxhinierët civilë nga vendet e BE-së dhe SHBA-se, së bashku me ekspertët vendas, kanë filluar vlerësimin e dëmit të shkaktuar nga tërmeti.

Procesi i pastrimit nga rrënojat është duke u zhvilluar dhe disa shtëpi dhe hotele të dëmtuara rëndë janë duke u shkatërruar.

”Në tri rrethet e goditura nga tërmeti në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, gjendja e jashtëzakonshme mbetet në fuqi dhe autoritetet atje ende nuk kanë vendosur se kur ​​do të rihapen shkollat”, thekson WP./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.