Rama me banorët e ish-Kënetës në Durrës: Të luftojmë frikën te njerëzit, ekspertë ndërkombëtarë në terren për të krijuar garanci


TIRANË, 1 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në zonën e ish-Kënetës, në Durrës, ku vizitoi nga afër disa banesa, si dhe foli me banorët e kësaj zone.

Rama shoqërohej nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, ndërsa në terren për verifikimin e dëmeve ndodhej ekipi i specialistëve zviceranë.

“Frikën e kuptueshme për të hyrë në shtëpi do ta mundim, duke dëgjuar ekspertët tanë e të huaj dhe duke i dhënë zemër njëri-tjetrit”, tha Rama.

Rama citoi ekspertët kur tha se shumica janë dëmtime sipërfaqësore, ndërsa aty ku është prekur struktura do t’i rrëzojmë dhe do t’i bëjmë të reja.

Rama takoi banorët e një godine që është në proces legalizimi, e cila ka pësuar dëme që mund të riparohen. Ai i nxiti banorët që të shkojnë në hotel dhe të qetësohen derisa sa të dali ekspertiza e plotë mbi banesën e tyre. “Të gjithë janë të shqetësuar. Është shqetësim i madh të bësh inevstimin e jetës dhe të shikosh që të rrëzohet, është tronditje e rëndë. Ndaj shkoni qetësohuni bashkë me fëmijët derisa të dali analiza e godinës”, iu drejtua Rama banorit.

Sipas kryeministrit, problematikat janë ndeshur kryesisht te pallatet e vjetra të ndërtuara në vitet ’70, shtëpitë e ndërtuara pa projekt fare dhe në pallatet e reja me problematika si ajo e hotelit, ku kanë hedhur kate mbas katesh, këto janë 3 komponentë”.

Njëra prej banesave të inspektuara nga specialistët zviceranë në këtë zonë, rezultoi në kolaps të plotë, ndaj IKMT po merr masa për ta shembur atë.

Kryeministri qëndroi edhe për të qetësuar banorët e traumatizuar nga ana psikologjike, që edhe pse nuk kishin pësuar asnjë dëm në banesë nuk pranonin të hynin në të.

Një qytetar nga Gramshi, i cili ishte vendosur në zonën e ish-Kënetës në vitin 1998, kërkoi që ta shoqëronte në banesë Kryeministri, pasi edhe pse nuk kishte pësuar dëme, kishte frikë të hynte në banesë.

“Kemi probleme psikologjike këptu, pasi shtëpia është shumë mirë, por ka frikë të hyjë. Ne jemi këtu bashkë me ambasadorin e BE-së dhe inxhinierin nga Zvicra për të qetësuar. Jemi këtu shqiptarë, zviceranë dhe nga BE”, i tha Rama banorit.

Një tjetër banore e kësaj zone kërkoi po ashtu që të bëhej një ekspertizë për banesën e  saj. Sprish kryeministri bashkë me ambasadorin Soreca dhe ekipin e specialistëve zviceranë vizituan banesën ku u konstatua se nuk ka asnjë problem strukturor.

“Një pjesë e madhe e shtëpive kanë dëme sipërfaqësore që krijojnë idenë se është bërë nami. Janë dëme që duhem riparuar”, tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.