Ndreu: 5 grupe për verifikim e konstrukteve të pallateve dhe të banesave të dëmtuara në Lezhë

TIRANE, 1 dhjetor/ATSH/- Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu deklaron që “nesër 5 grupe me nga tre inxhinierë do verifikojnë të gjithë konstruktet e pallateve të dëmtuara nga tërmeti si dhe banesë për banesë ku ka dëmtime për të dhënë një konkluzion të qartë dhe më teknik për rrezikshmërinë apo jo të pallatit”.

Ndreu shprehet se “bashkë me raportin e rrezikshmërisë apo jo të konstruktit për çdo banesë do ketë vlerësim për shkallën e dëmit: banesë e pabanueshme, banesë e dëmtuar rëndë, banesë me dëmtime mesatare dhe banesë me dëmtime të lehta”.

Ai bën të ditur se kjo praktikë do vazhdojë dhe për shtëpitë në zonat rurale për çdo njësi.

“Për raste të vështira që kanë diskutime konkluzioni do jepet nga inxhinierë konstruktorë të huaj që do të jenë edhe në Lezhë për pak ditë. Janë të lutur banorët e rrugës “Shtraus” dhe lagjja “Gurra” që kanë pretendime për dëmtime, të jenë në shtëpi nesër dhe në vazhdim që të presin ekipet e inxhinierëve. Për çdo problem telefononi bashkinë në numrin 0686694445”, apelon kryebashkiaku i Lezhës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.