Meçe: Të transmetojmë besim te qytetarët, nuk duhet të humbasim asnjë sekondë

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Gjatë mbledhjes së parë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, Arben Meçe inxhinier ndërtimi tha se situata në terren është emergjente dhe duhet transmetuar besim tek qytetarët.

“Nëse do vazhdojmë të jemi një strukturë e centralizuar, përgatituni për një dëm mbi 500 milionë euro dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë që janë këtu që edhe 10 milionë euro që do mbledhim është hiç, përpara dëmit që do përballojë Shqipëria. Mobilizimi i kësaj sasie kërkon organizim. Vëmendje jonë duhet të jetë të organizohemi që të zbresim deri tek qytetari”, – u shpreh Meçe.

Inxhinieri i ndërtimi shton se jemi në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme, prandaj kjo do të thotë që ka nevojë për mobilizim në terren.

“Unë i jam përgjigjur mobilizimit që bën shteti. Sot nuk ka më diskutim për transparencë. Ajo duhet të jetë e centralizuar e të gjithë kemi një gjeneral. Nuk e di kush është, unë duhet të isha në kushte pune sot. Unë dua detyrën. Më jep detyrën se për atë kam ardhur. Ne sot duhet të fillojmë punën, nuk duhet të humbasim asnjë sekondë. Unë dua të jem në terren, sepse e di çfarë shqetësimi kanë njerëzit”, – tha Meçe.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.