TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ – Presidenti Ilir Meta ka vizituar sot dy fshatra të prekura nga tërmeti i së martës.
Në Shkafanen në Ishëm dhe në Bubq, Presidenti Meta pa nga afër dëmet që tërmeti ka shkaktuar në banesat e këtyre banorëve ku fatmirësisht përveç dëmeve materiale nuk ka patur jetë të humbura.
Presidenti Meta u shpreh në Shkafanen në Ishëm se duhet të bëjmë gjithçka për të kaluar këto momente emergjente.
“Tërmeti ka goditur rëndë dhe Shkafanen në Ishëm, me pasoja shkatërrimtare për shtëpitë e shumë banorëve të kësaj zone. Të bëjmë gjithçka për të kaluar këto momente tepër emergjente deri në tejkalimin e gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Presidenti Meta.
Gjithashtu nga Bubqi Presidenti Meta tha se pasojat e tërmetit janë tronditëse por fatmirësisht pa jetë të humbura.
“Pasojat e tërmetit në Bubq janë tronditëse, por fatmirësisht pa jetë të humbura. Tani është koha për të përballuar sa më mirë emergjencën, deri në rivendosjen e normalitetit të plotë”, tha Presidenti Meta gjatë vizitës së tij në Bubq. /a.a/