Tërmeti në Shqipëri/ EMSC: Situata drejt normalitetit, ulet numri i pasgoditjeve dhe magnituda e tyre

TIRANE, 30 nëntor/ATSH/- Qendra Europiane Mesdhetare e sizmologjisë, në vijim të informacioneve të vazhdueshme lidhur me situatën pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, bëri të ditur sot se gjatë 24 orëve të fundit është ulur numri i pasgoditjeve si dhe magnituda e tyre.

Duke iu përgjigjur interesit të qytetarëve, veçanërisht një mesazhi ku pyetet nëse është e vërtetë që prej 6 orësh nuk ka pasur pasgoditje apo nëse aplikacioni i njoftimeve nuk funksionin, EMSC shkruan se lëkundja e fundit e regjistruar në rrjetet sizmike, është ajo e rreth tre orëve më parë, me një magnitudë prej 2.6 ballë.

“Nuk kemi asnjë indicie se kjo lëkundje është ndjerë, ose njerëzit janë mësuar dhe nuk raportojnë më për lëkundjet e lehta. Në çdo rast, ky është një lajm i mirë. Duket se shkalla e tërmetit është duke rënë”, thuhet në njoftimin e EMSC.

Edhe sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, gjatë orëve të fundit është shënuar ulje e numrit të pasgoditjeve dhe magnituda e tërmetit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.