Spiropali në Durrës: Nis vlerësimi i objekteve të prekura nga tërmeti, sot do të shemben 7 objekte

TIRANE, 30 nëntor/ATSH/- Të gjithë personat që ishin vendosur në kampin e ngritur në stadiumin në Durrës janë akomoduar në hotele.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali deklaroi sot nga Durrësi se “janë rreth 620 banorë të Durrësit të cilët janë të akomoduar në struktura hotelerie me standarde dhe sigurisht pas një vlerësimi që po i bëhet banesave dhe objekteve ku ata banojnë do kemi një vlerësim më të plotë të situatës”.

Gjithashtu, Spiropali deklaroi se “është ngritur Shtabi i emergjenca që së bashkë me grupin e punës po bën vlerësimin e dëmeve. Prioritet është përcaktimi i atyre objekteve që janë apo godinave që janë krejtësisht të pabanueshme dhe ju bëj thirrje qytetarëve që mos të afrohen pranë këtyre objekteve. Sot  është shembur një objekt në zonën e ish-Kënetës ndërsa do të shemben edhe 7 të tjera. Janë objekte krejtësisht të pabanueshme”.

Zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali ka deklaruar se të gjithë ata persona që kanë ndërtuar ilegalisht dhe në shkelje të projekteve të ndërtimit do të mbajnë përgjegjësi. Spiropali ka thënë ndër të tjera se ka në Durrës pallate që e  kanë marrë lejen për tre kate dhe janë bërë 7 katësh.

” Ë rëndësishme pasi të bëhet vlerësimi duhet të bëhet një analizë e ndërtimeve. Disa objekte janë ndërtuar në vitet 70, por edhe pallate të reja që janë planifikuar për tre dhe janë bërë 7”, tha Spiropali.

Sa i përket vendimeve të sotme të Këshillit të Ministrave, Spiropali tha se “familjet me viktima do përfitojnë një apartament apo një banesë nga qeveria, pa dallim. Familjarët e mbijetuarit do përfitojnë një pension për të gjithë jetën, një milion lekë të reja, një bursë për fëmijët deri kur të përfundojnë Universitetin. Bursa parashikon 150 mijë lekë të vjetra në muaj që është më e lartë se bursa që marrin studentët e tjerë të ekselencës apo në ndihmë. Të moshuarit , pensionistët e këtyre familjeve që kanë viktima a do përfitojnë pension të posaçëm “./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.