Shahini: Janë kontrolluar 200 shkolla, vendimi për nisjen e mësimit në përfundim të vlerësimeve

Besa Shahini

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, u shpreh sot se do të njoftohet të dielën nëse do të fillojë ose jo mësimi ditën e hënë në shkolla, pas vendimit që u mor për ndërprerjen e mësimit, në momentin kur vendi u prek nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në një intervistë televizive, Shahini bëri të ditur se sot Ministria e Arsimit ka mbyllur edhe analizën e inspektimeve që janë bërë nëpër ndërtesat e shkollave nga 40 inxhinierët nga Kosova, dhe siç tha ajo, “në momentin e finalizimit të këtyre të dhënave do të njoftojmë të gjithë se kur do të fillojë mësimi i plotë apo i pjesshëm”.

“Shkollat që janë 100% të sigurta do të hapen, – tha Shahini, ndërsa theksoi se, – do të kontrollohen të gjitha shkollat, kopshtet, çerdhet publike dhe private për të garantuar mbarëvajtje e siguri”.

“Është shumë e rëndësishme, pasi të sigurohemi që shkollat janë të sigurta do të punojmë për kthimin në normalitet të situatës, duke vënë në dispozicion të fëmijëve që janë prekur nga dëmet e tërmetit, edhe grupet e psikologëve dhe punonjësve socialë për t’ju ndenjur pranë dhe orientuar”, – tha Shahini.

Ministrja shpjegoi se, stafet e zyrave arsimore vendore janë në terren për të vërejtur dëmet në shkolla dhe paralelisht me grupin e inxhinierëve, po bëhet përputhshmëria e dëmeve në konstatuara në shkolla.

“Dëmet më të mëdha janë në Durrës dhe Krujë, por ka edhe disa zona të tjera. Po shohim nëse janë të riparueshme dhe nëse jo do të marrim masa për transferimin e fëmijëve në shkollat e sigurta, duke marrë përsipër dhe koston e transportit. Fillimisht kemi inspektuar shkollat publike, por po inspektojmë edhe ato private. Janë kontrolluar afro 200 shkolla në të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti në Durrës, Tiranë, Elbasan, kudo ku jemi njoftuar për dëme. Po rakordojmë informacionin për dëmet në shkolla me ndërtuesit dhe inxhinierët për të marrë identifikim të saktë të situatës dhe të sigurisë në shkolla”, – deklaroi Shahini.

Shahini tha se, do të kontrollohen të gjitha shkollat, kopshtet çerdhet publike dhe private.

Përsa i përket universiteteve, ministrja u shpreh se ato janë autonome, kanë bërë verifikimet e tyre dhe në një moment të dytë do t’i verifikojmë edhe ne, ndërkohë që nga vetë universitetet është marrë vendimi për të mos u zhvilluar mësimi edhe javës tjetër.

Universiteti i Shkodrës dhe ai i Elbasanit po vijojnë mësimin, tha ajo, dhe natyrisht ky është vendim i tyre.

Ministrja shpjegoi se është vështirë të shtyhet shkolla për maturantët, por sugjeroi ajo, mësimi do të zëvendësohet ditëve të shtuna.

“Do të bëjmë një ndarje mes zonave që janë prekur nga tërmeti, siç është qarku i Durrësit, i Tiranës dhe i Lezhës për të ndërprerë mësimin dhe mësimi të vijojë në zonat e tjera. Listat e shkollave të dëmtuara nga tërmeti do të njoftohen sa të mbyllim analizën e marrë nga terreni. Do të hapen vetën shkollat 100 % të sigurta, për objektet e tjera do të bëhen përforcime. Në Durrës janë kontrolluar të gjitha shkollat për sa i përket sigurisë së ndërtesave, ndërsa inspektimet dhe verifikimet po vijojnë në zona të tjera, sipas sinjalizimeve që vijnë nga qytetarët”, – deklaroi ajo. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.