Rama takon banorët e akomoduar në qendrën sociale “Gonxhe Bojaxhi”: Deri sa të bëhet godina e re, do merrni kontratë qeraje

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ –  Kryeministri Rama i shoqëruara nga kreu i bashkisë  së Tiranës Erion Veliaj ishin në qendrën sociale “Gonxhe Bojaxhi”, ku takoi banorët e prekur nga tërmeti në Njësinë 4.

Kryeministri u tha të prekurve nga tërmeti që duhet të qëndrojnë bashkë e të jenë pozitiv ndërkohë që të gjitha shtëpitë e dëmtuara të qytetarëve do të vlerësohen nga grupet e punës nëse janë të banueshme apo jo.

Ndërkohë, pas shqetësimeve të ngritura nga disa banorë se pallati i tyre nuk është më i banueshëm, kreu i bashkisë Veliaj u tha se “inxhinieri ka thënë që nuk banohet më, fillimisht duhet të nxjerrim dhe familjet që nuk pranojnë. E dyta, do i lidhim secilit me letrën që do marrin qera”.

Ndërkohë Kryeministri Rama nga ana e tij i siguroi se pallati do prishet. “Gjatë kësaj kohe ju do rrini këtu deri sa të bëhen kontratat e qerasë që thotë “lali Eri”, do shkoni nëpër apartamentet me qera që do i paguajë “lali Eri” dhe aty do ndërtohet godina, e re, tek shkolla e ish komunales e kur të jetë gati do futeni në shtëpi”, – i siguroi Rama qytetarët.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.