Inspektimi i banesave të dëmtuara bashkë me grupet e vendeve të BE-së, së shpejti raporti i qëndrueshmërisë

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “inspektimi i godinave të dëmtuara apo që kanë një pamje të frikshme për banorët, që janë të mëdha në numër do bëhet në një kohë shumë të shpejtë dhe rezultatet mbi qëndrueshmërinë e tyre do të merren në një kohë shumë të shpejtë”.

Në fjalën e tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Kryeministri Edi Rama theksoi se “është shumë e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë se plasaritjet, krisjet e dukshme në banesat kolektive nuk janë domosdoshmërisht shfaqje e një situate kritike pa kthim të këtyre banesave”.

“Është e natyrshme që një pjesë e banorëve të dëmtuar vetvetiu duan kohë që të kthehen në normalitet dhe nga ana tjetër ne shpejt do të kemi edhe raportin e qëndrueshmërisë së banesave. Që do të thotë se falë angazhimit të grupeve që kanë filluar të vijnë, grupi grek është në terren, grupi francez në terren dhe ai ai italian grupe të tjera vijën sot dhe nesër”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë sqaroi se “nuk është e rëndësishme sesa plasaritje dhe krisje ka në pamje të jashtme një godinë, por e rëndësishme është sa është prekur struktura mbajtëse. Por këtë do ta thonë specialistët dhe për të pasur një garanci maksimale dhe që raportet të jenë të sakta duke pasur parasysh volumin e madh të godinave që duhen radiografuar kemi kërkuar edhe ndihmë”.

“Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme ka kryer të gjithë ciklin e telefonatave dhe kontakteve me të gjithë ministrat e jashtëm të BE-së për të garantuar se do të kemi edhe ekipe të tjera. Ekipi hungarez vjen sot, ekipi bullgar vjen sot, ekipi lituanez dhe ai letonez vjen sot kështu që në këtë aspekt nuk do kemi asnjë problem”-, tha Rama.

Ajo që duhet të bëjmë, tha Rama, është të kemi koordinim të plotë për ti pritur dhe për ti shoqëruar drejt qendrave të koordinimit të shtabit të emergjencës në mënyrë që këto shtabe në bashkëpunim me personin përgjegjës për këtë çështje , zv/ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë në zonën e Durrësit dhe personat përgjegjës për zonën e Tiranës të mund ti alokojmë me shpejtësi në vendet e duhura për të mos pasur mbivendosje për të mos pasur asnjë minutë kohë të humbur./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.