Gati strehimi për familjet e viktimave të tërmetit, Rama: Duhet të hyjnë në shtëpi të reja urgjent

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Qeveria vendosi sot që të gjitha familjet e viktimave nga tërmeti t’u sigurohet strehim në kohë rekord duke mundësuar apartamente për to, në Thumanë apo në Tiranë sipas asaj që këto familje dëshirojnë.

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë mëngjesin e sotëm, tha se të gjitha familjet që kanë viktima nga tërmeti i 26 nëntorit duhet të hyjnë në shtëpi të reja urgjent.

“Familja Borshka 4 anëtar 1 viktimë, familja Gjana 8 anëtarë 1 viktimë, familja Hajdarmataj, 4 anëtarë 1 viktimë familja Lala 4 anëtarë, 1 viktimë, familja Lala 8 anëtarë, 7 viktima familja Meçja, 5 anëtarë 1 viktimë, familja Misho 3 anëtarë 1 viktimë, familja Qato 2 anëtarë 1 viktimë, familja Rexhepi 2 anëtarë 1 viktimë, familja Zenelaj 9 anëtarë 1 viktimë, familja Cakoni (Thumanë) 6 anëtarë 2 viktima, familja Cara 5 anëtarë 4 viktima, familja Cara 2 anëtarë 1 viktimë, familja Cuka 4 anëtarë, 2 viktima, familja Cupi 4 anëtarë 3 viktima, familja Greku 3 anëtarë, 1 viktimë, familja Greku 3 anëtarë 2 viktima, familja Hoxhalli 3 anëtarë 1 viktimë, familja Kabiri 3 anëtarë 1 viktimë, familja Lala 4 anëtarë 1 viktimë, familja Peci 3 anëtarë 1 viktimë, familja Steneci 3 anëtarë, 1 viktimë familja Vata, 2 anëtarë 1 viktimë, familja Vata 4 anëtarë 1 viktimë, familja Gega 1 viktimë”, – citoi Kryeministri emrat e familjeve që humbën të dashurit e tyre në tërmetin e fuqishëm.

“Me gjithë ndonjë lapsus në mospërmendjen e ndonjë emri apo ndonjë numri ashtu siç është saktësisht pasi këto janë të dhënat e zyrës operacionale, gjithkush që hyn në këtë kategori do të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe të gjitha këto familje duhet të hyjnë në shtëpi të reja urgjent”, – theksoi Rama.

“Ne i kemi gati mundësitë për ta. Duhet caktuar një person specifik në Shtabin e Emergjencës në Durrës dhe në Shtabin e Emergjencës së Tiranës që do të bëjë kontaktin me ta për t’u thënë se ku duan të rrinë”, – detajoi Rama.

“Ne familjeve të viktimave të Thumanës jemi gati t’u ofrojmë menjëherë apartamentin në Tiranë. Kemi ndërkohë gati dhe duhet vetëm të bëhet arredimi i 6 apartamenteve në Thumanë, por duhet një komunikim me ta për të parë se kush është dëshira e tyre”, tha Rama.

“Ky akt i parë është akti i dorëzimit të apartamenteve të gjitha këtyre familjeve. Duhet bërë në një kohë rekord. Ne jemi gati”, – përfundoi Kryeministri Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.