Ambasadori Minxhozi: Qeveria shqiptare, 16000 euro për familjen Abazi nga Gjilani

PRISHTINË, 30 nëntor/ATSH/ Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi zhvilloi një vizitë ngushëlluese në familjen Abazi në komunën e Gjilanit, e cila humbi dy djemtë, gjatë tërmetit të datës 26 nëntor.

Pas shprehjes së ngushëllimeve të atit dhe familjarëve të tjerë, ambasadori u bëri me dije vendimin e sotëm të Qeverisë shqiptare për ta ndihmuar familjen Abazi me shumën prej 16000 euro.

Familjarët e vlerësuan këtë akt, ku i ati i viktimave u shpreh se: “Falënderoj qeverinë shqiptare që nuk i ndau fëmijët e mi nga viktimat e tjera”.

Në këtë vizitë, ambasadori u shoqërua nga kryetari i komunës Lutfi Haziri, si dhe nga anëtarë të këshillit komunal të Gjilanit.

Edhe komuna e Skënderajt njofton se në bashkëpunim edhe me biznese të kësaj komune u kanë dhuruar shumën prej 5000 euro familjes Abazi nga fshati Livoç i Epërm i Gjilanit, dy djemtë e së cilës Shemsedin dhe Isa humbën jetën nga tërmeti, duke mbetur nën rrënojat e Hotel “Palma” në Durrës./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.