Pasojat e tërmetit, edhe Laçi përfshihet në perimetrin e emergjencës

TIRANË, 29 nëntor /ATSH-Maela Marini/ Edhe Laçi u përfshi në perimetrin e emergjencave pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin dhe që ka sjellë një bilanc tragjik viktimash dhe dëme të mëdha materiale.

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në mëngjes në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe në Laç.

“E kemi diskutuar me shumë shqetësim me ministrin e Brendshëm, i cili ka qenë në atë zonë dhe me ministren e Kulturës që ka ndjekur për hesap të detyrës që ka marrë në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, situatën e godinave dhe ka pasur kontakt. Faktikisht lëkundja e ndodhur në Thumanë ka shkaktuar dëme të menjëhershme në Laç dhe praktikisht banorët aty janë prekur dhe kanë dalë një dyzinë godinash të përbashkëta të dëmtuara dhe kanë dalë në çadra”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se se “ata do të trajtoheshin njësoj, por e mira do të ishte që të përfshiheshin në vendimin e perimetrit të emergjencës”.

“Duke e mirëkuptuar plotësisht edhe opinionin e kryetarit të opozitës dje që Laçi të përfshihet në këtë perimetër, them se na përputhen shqetësimet. Por në këtë rast na përputhen edhe idetë. Nga sot duhet të përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program në mënyrë që asnjë në Laç të mos ndjehet i përjashtuar apo i vendosur në një kategori të dytë të vëmendjes”, tha Rama.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.