Bulqizë, Alla: Bashkia do strehojë banorët e dëmtuar nga tërmeti dhe do paguajë qiranë

TIRANË, 29 nëntor  /ATSH – I. Vata/ Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe pasgoditjet janë ndierë edhe në bashkinë Bulqizë të Qarkut Dibër.

Kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla ka inspektuar nga afër një pallat në lagjen e re të qytetit, i cili ka pësuar dëmtime të mëdha pas lëkundjeve të shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.

Kryebashkiaku u takua me banorët e këtij pallati, si edhe pa nga afër edhe mjediset e brendshme të banesave të tyre.

Në përgjigje të shqetësimit të banorëve, të cilët theksuan se banesat janë të pabanueshme, Alla premtoi se do t’i zhvendosë ata në mjedise me qira, e cila do të paguhet nga fondet e bashkisë, deri në zgjidhen përfundimtare të këtij problemi.

Ai tha se Bashkia ka kontaktuar edhe një studio projektimi, e cila ka bërë sugjerimet e veta në lidhje me zgjidhjen e kësaj problematike, e përcjellë kjo edhe në institucionet e qeverisjes qendrore për t’u mbështetur financiarisht. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.