Bilanci paraprak i dëmeve nga tërmeti/ Në Durrës u dëmtuan 701 banesa dhe 176 pallate, në Tiranë 239 banesa dhe 61 pallate

TIRANË, 29 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Nga tërmeti i 26 nëntorit në qarkun e Durrësit u dëmtuan 701 banesa, 12 banesa rezultojnë të shkatërruara totalisht dhe 176 pallate të dëmtuara.

Ndërsa në qarkun e Tiranës ka 15 banesa të shkatërruara plotësisht, 239 banesa të dëmtuara, 8 pallate jashtë funksionit dhe 61 pallate të dëmtuara rëndë.

Bilancin e përkohshëm të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit, e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë.

“Sigurisht që ky bilanc kërkon të plotësohet në mënyrë që askush të mos mbetet jashtë bilancit”, tha Rama.

Ai informoi se, sot vijnë ekipet e para të inspektorëve teknik ndërkombëtarë për të bërë një analizë dëmesh, së bashku me ekspertët tanë, në mënyrë që të mos marri kjo një kohë tejet të gjatë për shkak të numrit të madh të pallateve në raport me numrin e vogël të ekspertëve që ka Instituti i Ndërtimit apo kompanitë.

“Ekipi grek është planifikuar të mbërrijë pas mesditës, ekipi turk po ashtu, ekipi francez sipas të gjitha gjasave në mbrëmje dhe një sërë ekipesh të tjera në mbrëmje ose nesër.
Ministria e Infrastrukturës duhet të marri masat për pritjen dhe organizimin e gjithë këtyre ekipeve, bashkë me ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme”, tha Rama.

Ai kërkoi që të ketë një koordinim me përfaqësitë diplomatike këtu për të pasur një saktësi mbi oraret e mbërritjes dhe për t’i çuar në aeroport personat që do t’i marrin dhe do t’i ndajnë nëpër zona.

“Sepse ajo që na ndodhi edhe me skuadrat e kërkim-shpëtimit ishte se disa skuadra, u nisën pa thënë asgjë dhe vetëm se kur u shfaqën në aeroport. Skuadra e Zvicrës ishte një nga këto raste, apo skuadra rumune. Për të mos pasur asnjë humbje kohe dhe për të pasur një koordinim, ju takon ju të dyve të bëni këtë”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.