Situata pas tërmetit/ Programi i rindërtimit, pikë kthese në historinë e Shqipërisë

TIRANË, 28 nëntor/ATSH – Programi i Rindërtimit që planifikon të realizojë qeveria përmes ngritjes pas një situate emergjence si kjo e tërmetit tragjik që la pas 46 viktima të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, si organizmi që do e vendosë në jetë këtë plan, do të shënojë një kapitull të ri për Shqipërinë. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama, i cili në intervistën e dhënë mbrëmjen e sotme për “Open”, u shpreh se për të realizuar këtë program do të vijnë në Shqipëri, ashtu siç erdhën ekipet më të specializuara të kërkim-shpëtimit nga e gjithë bota, edhe ekspertët më të mirë të ndërtimit, të cilët do të bëjnë vlerësimin e çdo ndërtese ku janë evidentuar dëme të shkaktuara nga tërmeti.

“Dua këtu ekspertët që do analizojnë, të kemi ekipe si ato të kërkim-shpëtimit. Ekipi grek vjen nesër në mëngjes, ekipi turk po ashtu, ekipi francez nesër në mbrëmje, ekipi zviceran, gjerman, etj., të gjithë inspektorët e ndërtimeve, që, do të thotë,” ky pallat është në rregull, apo i dëmtuar rëndë, apo ky duhet shembur”. Këtu do nxjerrim inventarin e të gjithë banesave që do rindërtojmë. Për banesat individuale janë zgjidhje më të thjeshta, sepse ato flasin vetë nëse duhet ndërtuar nga e para apo duan riparime,” u shpreh Kryeministri.

Ai tha se Komiteti Kombëtar i Rindërtimit i ngritur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë një ditë pas tërmetit do të koordinojë gjithçka për realizimin e këtij plani. Rama u shpreh gjithashtu se në plan të parë do të jetë vullneti i vetë banorëve. Nëse ata duan të mos jetojnë më në Thumanë, shtëpia e tyre mund të ndërtohet në Tiranë ose Durrës.

“Në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit do mbledhim në tryezë përfaqësues të qeverisë, organizatave solidare me njerëzit në nevojë, përfaqësues të biznesit, bankave dhe do iu themi që nuk kemi nevojë ne as për ushqime, as për pako me ndihma, faleminderit për çfarë keni bërë deri tani, tani kemi nevojë për kontributet e të gjithëve. Do kemi edhe përfaqësues teknikë, asistencë të huaj, do themi kjo është situata. Plani është që do na duhet të bëjmë këto spostime. S’kemi pse i rindërtojmë apartamentin këtu, nëse e do në Tiranë, do i gjejmë apartament në Tiranë. Disa njerëz mund t’i çojmë drejt Tiranës e Durrësit. S’kemi pse i mbajmë në pallate gjysmë bosh. S’kemi pse fotografojmë të njëjtën situatë, kur ata fare mirë mund të vazhdojnë të bëjnë jetën e tyre në Tiranë. Kjo do bëhet me rend,” tha më tej Kryeministri.

“Është një program rindërtimi që do hyjë në historinë e Shqipërisë si një pikë e madhe kthese dhe si një mësim se si një krizë mund të kthehet në një oportunitet për njerëzit,” nënvizoi ai. /a.sh./ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.