“Megjithë ndasitë, në nevojë jemi komb i bashkuar”, Rama shpërndan mesazhin e Bashës për tërmetin

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar sot thirrjen e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili e nisi mëngjesin e sotëm me një videomesazh drejtuar të gjithë shqiptarëve, duke bërë apel për bashkim kombëtar në një ditë të vështirë si kjo e fatkeqësisë natyrore, ndër më të rëndat që ka prekur vendin tonë në dekadat e fundit.

“Megjithë ndasitë tona, në orë nevoje ne jemi një komb i bashkuar, lidhur ngushtë nga të njëjtat vlera dhe nga e njëjta dhembshuri. Kjo është Shqipëria e vërtetë! Shqipëria e njerëzve me zemër të madhe dhe me forcë të pashtershme,” shprehet Basha në videon e shpërndarë në rrjetet sociale.

Ky gjest i kryedemokratit Basha nuk ka kaluar pa vëmendjen e kryeministrit Edi Rama, i cili e ka shpërndarë në “Twitter” pikërisht këtë videomesazh të fortë solidariteti. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.