Hotelet me 5 yje në dispozicion të të prekurve nga tërmeti, Rama: Do ktheheni në shtëpi të reja

#TiNukDoJeshKurrëVetëm😢👐🏿🇦🇱https://e-albania.al/dhuro/

Gepostet von Edi Rama am Donnerstag, 28. November 2019

TIRANË, 28 nëntor/ATSH – Strukturat hoteliere në Durrës kanë vënë në dispozicion të gjithë shtretërit për familjet e prekura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama ishte në Golem, aty ku një tjetër hotel me 5 yje është kthyer në strehën e 13 familjeve të para që kanë mbërritur nga zonat më të prekura dhe ku trajtimi nga i gjithë stafi hotelier është i klasit të parë.

“Deri tani janë 12 familje që kanë ardhur. Kemi vende për 100 familje,” shprehet Astriti, pronar i “Bonita Hotel”.

Kryeministri e siguroi se qeveria do të mbulojë të gjitha shpenzimet, ndërsa kërkoi që të gjitha familjet që i kanë shpëtuar tërmetit të trajtohen më kujdes maksimal, pasi shumë prej tyre janë ende të traumatizuar.

“Kuptohet që kjo është një histori që do zgjasë shumë dhe ne nuk do ju bëhemi barrë. Do i rrimë një marrëveshjeje parimore që të mbulojmë të gjithë kostot të mbajë në punë gjithë stafin, por do ju lutesha shumë që të silleshit njësoj si të ishin turistë të klasit të parë. Ata janë të stresuar, janë të ngarkuar. Duhet t’i duroni, t’i mirëkuptoni, të ndjehen mirë, sepse janë të traumatizuar,” ‘- u shpreh Kryeministri Rama.

“Unë isha te banesa. Sa hyra brenda më ra muri për së dyti. S’kam ku të shkoj. S’kam shtëpi,” – shprehet një kryefamiljar i cili me lot në sy i tregon Kryeministrit edhe pamjet e shtëpisë së rrënuar.

Por kryeministri e siguron atë që shtëpia do të ringrihet edhe një herë nga e para dhe shumë shpejt ai mund të gëzojë si më parë.

“Shtëpinë do ta bëjmë siç ishte, edhe më të mirë. Vetëm durim edhe mos shko më në shtëpi. Do ta bëjmë siç ishte. Ne jemi me ju. Duhet të qetësoheni, të keni durim, do rrini këtu sa të jetë nevoja,” – shprehet Kryeministri. /a.sh./ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.