VJENË, 28 nëntor /ATSH-MIA/ – Refuzimi i presidentit francez Emanuel Makron për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është gabim i madh strategjik, i cili duhet të rregullohet menjëherë, theksoi eurokomisari i deritanishëm për Zgjerimin Johanes Han, i cili në përbërjen e re të Komisionit Europian merr postin e komisionerit për buxhetin dhe administratën.
Në një deklaratë për gazetën “Handelsblat” Han paralajmëroi për pasojat negative që mund të shkaktojë kundërshtimi i Parisit për hapjen e dyerve të BE-së për Shkupin dhe Tiranën.
“Dëshira për reforma dhe implementim zvogëlohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Besueshmëria e BE-së është e rrezikuar, ndërsa korruptohen edhe forcat politike proeuropiane në rajon”, theksoi Han, duke shtuar edhe njëherë se vendimi i Makronit në tetor ka qenë “gabim serioz historik”.
Han bëri thirrje për rregullim të shpejtë të dëmit nga bllokimi francez dhe theksoi se shpresonte që kjo të ndodhë në takimin e parë të vitit të ardhshëm.
“Besueshmëria mund të kthehet nëse BE-ja arrin qëndrim të përbashkët për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u jepet perspektivë europiane, pasi ajo është në interes edhe të BE-së”, thotë Han.
“Kuptohet, legjitime është të bisedohet për përmirësimin e metodologjisë, por ajo nuk duhet të shfrytëzohet si arsyetim për anulimin e vendimit për fillim të negociatave me Shkupin dhe Tiranën”, theksoi Johanes Han.
“Largimi i BE-së nga Ballkani Perëndimor mund të shkaktojë edhe pasoja të sigurisë”, shtoi ai.
“Stabiliteti i Ballkanit mund të garantohet vetëm nëse gjashtë vendet e rajonit hyjnë në BE. Ajo është mënyra e vetme për arritje të paqes së përhershme dhe prosperitetit. BE-ja tashmë nuk është vetëm në Ballkan. Kina dhe Rusia investojnë shumë, ndërsa Turqia dhe shtetet e Gjirit Persik gjithashtu bëjnë përpjekje të hyjnë në vendet e BE-së”, nënvizoi Han./ /ec/
