90 struktura hoteliere në Korçë, të gatshme të presin falas banorët e zonave të prekura nga tërmeti

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Hotelet dhe bujtinat e Korçës kanë hapur dyert për banorët e zonave të prekura nga tërmeti.

Bashkia e Korçës ka kontaktuar sot të gjitha strukturat hoteliere që janë në territorin e bashkisë, në qytet dhe fshatra.

Rreth 90 hotele, bujtina dhe struktura të tjera akomoduese janë të gatshme të mirëpresin falas banorët e zonave të prekura.

Bashkia e Korçës ka marë përsipër koordinimin e këtij procesi me stafin e saj në dispozicion dhe sportelet gjithnjë të hapura.

Veç hoteleve, bashkia ka bërë thirrje për të gjithë ata që kanë shtëpi apo apartamente të lira për t’i vendosur në dispozicion të personave të cilët kanë nevojë për një strehë.

“Ka një numër të lartë qytetarësh që i kanë ofruar shtëpitë e tyre për strehim deri tani, ndërsa bashkia e Korçës vazhdon punën jo vetëm për të pritur ndihmat e shumta nga qytetarët e Korçës, por edhe për të koordinuar këtë informacion që vjen jo vetëm nga njësitë hotelerike por edhe nga banorët”, thuhet në një njoftim të bashkisë Korçë./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.