VATIKAN – Papa Françesku:  Zoti e bekoftë popullin shqiptar, që unë e dua shumë

ROMË, 27 nëntor /ATSH-CNS/ – Papë Françesku drejtoi sot lutjet, nga Selia e Shenjtë, për Shqipërinë. që u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4.

“Dëshiroj të përshëndes dhe të tregoj afërsinë time ndaj popullit shqiptar, i cili ka vuajtur shumë në këto ditë”, u shpreh Ati i Shenjtë.

“Shqipëria ka qenë vendi i parë i Europës, që kam dashur ta vizitoj. U jam pranë viktimave, lutem për të vdekurit, të lënduarit dhe familjet. Zoti e bekoftë këtë popull, që unë e dua shumë”.

Menjëherë pas thirrjes së Papë Françeskut për lutje, Vatikani dërgoi një telegram ngushëllimi nëpërmjet kardinalit Pietro Parolin, sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Në mesazh thuhet se Papë Françesku lutet që ekipet e emergjencës të bekohen me forcë në përpjekjet e tyre për ndihmë dhe ia beson popullin e Shqipërisë providencës së dashur të të Plotfuqishmit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.