Tërmeti/ 3 persona janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat në Thumanë, kërkimet vijojnë pa ndërprerje

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Që prej mëngjesit të sotëm dhe deri tani nga rrënojat në Thumanë, Krujë, janë nxjerrë 3 persona të pajetë, ndërkohë që kërkimet vijojnë pa ndërprerë.

Lajmi u bë i ditur nga Policia e Durrësit e cila thekson se “mbi 2400 punonjës policie janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë të prekur nga tërmeti, ndërkohë që vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Durrës dhe Thumanë.

“Forcat speciale Renea, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, Fierit dhe Shkodrës, dhe Policia e DVP Durrës, prej afro 32 orësh vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, në Durrës dhe në Thumanë, Krujë”, bën të ditur Policia e Durrësit.

Sipas policisë, operacionet e kërkim-shpëtimit po kryhen në bashkëpunim të ngushtë me ekipet e forcave të ushtrisë, emergjencave civile dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit të ardhura nga shumë vende të rajonit. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.