Situata nga tërmeti/Rama: Ka ardhur ajka e ekipeve të kërkim-shpëtimit nga Europa

TIRANË,27 nëntor /ATSH/ –  Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive nga Durrësi u shpreh se në solidarizim të kësaj tragjedia ka ardhur ajka e ekipeve të shpëtim-kërkimit nga Franca, Kroacia, Greqia etj për të bërë të mundur nxjerrjen e personave nën rrënoja nga kjo katastrofë.

“Këtu ka ardhur ajka e ekipeve të kërkim-shpëtimit nga Franca, Kroacia, Turqia, Greqia janë ajka në ato vende. Italia ka kaluar tërmete dhe sot ka njerëz në tenda akoma nuk mbahet mend qëkur kanë kaluar tërmete. Jemi në vendin ku vetëm përpara disa vitesh çoroditej gjithë dynjaja për një përmbytje fillestare nga shiu. Këtu nuk jemi në kushtet e një përmbytje fillestare dhe as të ndonjë përmbytje të madhe si ato që kemi parë jemi në kushtet e një katastrofë”, tha Rama.

“Në këtë katastrofë kemi parë heronj të panumërt kanë qenë mijëra forca, kemi parë një urgjencë shëndetësore që nuk ka asnjë dallim nga gjithë urgjencat shëndetësore të këtyre vendeve. Nuk i kemi ne njësitë e super specializuara elitë, njësia franceze që ka ardhur këtu është e jashtëzakonshme, është dërguar me mandat të Presidentit të Francës pra janë njësia që shkojnë po kështu siç vijnë këtu edhe kur ndodh një tërmet në Itali sepse as Italia nuk i ka të gjitha njësitë e veta siç ka njësinë që ka sjellë këtu. Pra këtu është ajka”, u shpreh kryeministri Rama.

Ai shtoi se “ky është një moment që mbas kësaj faze ne do të kemi njësitë tona dhe në këtë moment të gjithë këta miq do të na ndihmojnë dhe ofrojnë atë që deri dje ne nuk e blenim dot, instrumenta shpëtimi super të shtrenjtë”.

“Siç kemi bërë me shpenzimet tona dhe mundësitë tona Urgjencën Kombëtare. Ku ishte parë në Shqipëri të vinte Urgjenca Kombëtare me klinikë brenda, me maska oksigjeni duke pritur nëpër vrima e duke dhënë oksigjen nën gërmadha. Këtu kemi qenë para 5 vjetësh kur në spital nuk kishte çarçaf e jo më të bëhej fjalë për ambulanca të pajisura me mjetet më të fundit”, përfundoi Rama. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.