Situata nga tërmeti/ Komiteti Kombëtar i Rindërtimit me përfshirjen e një rrjeti të gjerë institucionesh

TIRANË, 27 nëntor/ATSH – Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar plotësisht si do të funksionojë Komiteti Kombëtar i Rindërtimit, struktura më e madhe e ngritur ndonjëherë në raste të tilla fatkeqësish natyrore, që, siç tha ai, do të përfshijë një rrjet të gjerë institucionesh publike, private, por dhe organizata humanitare të cilat i janë bashkëngjitur qeverisë në këtë nismë.

“Kemi vendosur të krijojmë një Komitet Kombëtar për Rindërtimin që do drejtohet nga kryetari i Komisionit të Financave dhe të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, që ka një eksperiencë jo të vogël dhe do jetë i përbërë nga një mozaik përfaqësish, që nga përfaqësia e qeverisë, te përfaqësitë e biznesit, tek përfaqësitë e organizatave të solidaritetit për njerëzit në nevojë. Isha sot me Elvis Naçin. Nesër do jem me Arbër Hajdarin të “Fundjavë Ndryshe”, ku kemi prej disa muajsh që po bëjmë së bashku një PPP, jo për gjë tjetër, por njerëzit në nevojë. Është ndërtuar një qendër fantastike për mbledhjen e ndihmave. Shpresonim ta inauguronim me festat e nëntorit, me një mënyrë tjetër, por në një farë mënyre qendra po bekohet me dhimbjen që është në fakt edhe burimi i frymëzimit të pasionit të atyre njerëzve me Arbrin në krye, siç ka dhe të tjerë të cilët do të jenë në tryezë, sepse fondet e mbledhura prej tyre nga këto kontribute të adresës unike dhe fondet e buxhetit duhen administruar së bashku, duhen garantuar për të gjithë njerëzit, – askush të mos bjerë e propagandës së shpifur që ne po i vjedhim. Iu ka ngelur në gojë një fjalë e ndyrë, e ulët që po jep negativitet, – do të harmonizohen të gjitha veprimet, p.sh., nëse Elvisi ka vendosur të përqendrohet në Thumanë, Arbri në një pikë tjetër, dikush tjetër në një pikë tjetër ne në një pikë tjetër dhe ky komitet do vendosë standardet, planifikimin etj., do jetë në funksion të komitetit të emergjencës që buron nga gjendja e jashtëzakonshme, që do ketë një kohë të shkurtër, por kjo kohë do të jetë e gjatë,” u shpreh Kryeministri Rama gjatë një interviste televizive.

Kryeministri i vendit garantoi se do të bëjë gjithçka për rritjen e nivelit të kontributeve në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti tragjik i 26 Shtatorit.

“Kjo është një situatë sikur këtu sapo ka mbaruar një luftë dhe këtu duhet një mikroplan “Marshall” me kontribute nga e gjithë bota dhe unë do bëj çmos që të mbledh kontribute dhe t’i vë në dispozicion të gjitha miqësitë që kam krijuar, të gjitha raportet e mirëbesimit që kam me shumë liderë sot për të sjellë sa më shumë ndihma teknike, logjistike, apo financiare dhe për ta rindërtuar këtë zonë,” deklaroi Kryeministri. /a.sh./

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.