Rama: Do të rindërtojmë të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Familjeve të dëmtuara nga tërmeti duhet t’u rindërtojmë banesat, por familjeve në Thumanë duhet t’u garantojmë ato pallate që kishin dhe duhet të jenë natyrisht shumë të forta dhe më të mira.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e qeverisë.

“Është një sfidë shumë e madhe duhet të bazohemi tek buxheti i qeverisë, do të bazohemi tek buxheti i bashkive sikur imponon ligji për gjendjen e jashtëzakonshme dhe për këtë po punojmë për një skemë financimi që të na mundësojë një mbulim tërësor, pa u kufizuar apo pa u mbuluar thjesht me anën tjetër që është mekanizimi i financimit të jashtëm. Me kolegët europianë kam folur dhe para se të hyja këtu, po komunikoja me kryeministren e Danimarkës , e cila më kish shkruar një mesazh të gjatë dhe po kështu me të gjithë.
Nëse Zoti nuk ka bërë ndonjë plan tjetër do të jemi për pak ditë në samitin e NATO-s dhe aty me të gjithë kemi rënë dakord , jashtë tryezës së Samitit të bëjmë një diskutim do të adresohet kjo plagë e hapur në Shqipëri dhe si ndihmohen shoqëria, shteti, njerëzit në nevojë në këtë proces rindërtimi”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “me Presidentin e Turqisë kemi rënë dakord të organizojmë një tryezë me vendet e rajonit lindor, kështu që janë dy mekanizma, mekanizimi i BE që është një mekanizëm i afirmuar dhe konfirmuar për të mbështetur dhe kemi një komponent të tretë që janë SHBA që kanë ofruar të gjithë gatishmërinë e tyre për të mbështetur”.

“Ajo që duhet të bëjmë është të fillojmë të bëjmë listat dhe të hartojmë hartën e shpërndarjes së familjeve duke garantuar transportin e tyre drejt këtyre strukturave akomoduese, ku do kujdesemi në mënyrë të vazhdueshme. Por, kjo ama kjo nuk do të zgjasë disa ditë ditë, muaj, mund të zgjasë me vite, kjo është një fazë e ndërmjetme prej disa muajsh dhe ndërkohë sfida e madhe është programi i rindërtimit”,- tha Rama./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.