Pasojat e tërmetit, shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se sot do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, e cila përkon me marrjen e një sërë masash për 30 ditët në vijim në Tiranë dhe Durrës.

Në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar mëngjesin e sotëm, Kryeministri Rama theksoi se “është thënë se ne po shmangim gjendjen e jashtëzakonshme për të mos marrë përsipër përgjegjësitë tona, pa e ditur fare se çfarë është në të vërtetë gjendja e jashtëzakonshme. Dje nuk ka qenë momenti për këtë. Dje ka qenë momenti për të adresuar hemorragjinë e tmerrshme që ka shpërthyer. Dje kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin vetëm se në rrugë dixhitale, se secili ka qenë në një pikë fronti dhe nuk ka lëvizur për orë të tëra. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë erdhi me vonesë në mbledhje jo se u zgjua nga gjumi, por është gdhirë në rrugicën përballë në njërën prej rrënojave që mbajnë brenda 6 trupa, që ne lusim Zotin të jenë ende në jetë, por që janë aty në errësirë”.

“Ne sot do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në përputhje me Kushtetutën e legjislacionin përkatës, ashtu si Kushtetuta e Legjislacioni e shtjellojnë dhe duke u nisur nga natyra e problematikave dhe prioriteteve të situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve që janë prekur drejtpërdrejt dhe plagët janë ende të hapura në Durrës dhe Tiranë”, – vuri në dukje Kryeministri Rama.

Sipas Ramës, gjendja e jashtëzakonshme nuk është çështje thjesht financash. “E thotë edhe historia jonë në paketën financiare, ne nuk i kemi lënë mangët asgjë, askujt”, – theksoi ai.

“Për një periudhë 30-ditore gjendja e jashtëzakonshme ka disa hapësira e detyrime për ata që duhet ta qeverisin gjendjen e jashtëzakonshme. Mbase nuk do t’u vijë për shtat atyre që e kanë predikuar se ka qenë një temë që duhet të bënin politikë, ndërkohë që Shqipëria ishte në lot”, – tha Rama./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.