Ndihmat e mesazhet pas tërmetit, Rama: Solidaritet mbresëlënës nga i gjithë kombi, nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë

TIRANË, 27 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot një falendërim për partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ardhur në ndihmë të personave që janë prekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Rama vlerësoi solidaritetin mbresëlënës në kuptimin e plotë të fjalës nga i gjithë kombi ynë dhe nga miqtë dhe partnerët e vendit tonë.

“Duhet të shpreh mirënjohje të pakufijshme për reagimet vërtetë thellësisht ngushëlluese të ambasadave të SHBA-së dhe BE-së, që qysh në çastet e para janë vënë në lëvizje për të na shprehur gatishmërinë e tyre në mbështetje të popullit shqiptar të të gjitha familjeve dhe të gjithë individëve të prekur nga kjo fatkeqësi”, tha Rama.

Ai shprehu mirënjohjen për presidentin e Republikës së Kosovës, për Kryeministrin e Italisë, i cili ndër miqtë dhe partnerët e pazëvendësueshëm të këtij vendi ka qenë ai që ka çelur serinë e komunikimeve të drejtpërdrejta, duke u predispozuar plotësisht për t’i ardhur në ndihmë njerëzve dhe qeverisë sonë në përballimin e kësaj situtate vërtetë shumë sfiduese.

“Mirënjohje për Kryeministrin e Greqisë, i cili përveç të tjerave ka sjellë menjëherë duke devijuar programin, Ministrin e Jashtëm me një delegacion të gjerë në Tiranë; Presidentin e Francës, i cili pasi kemi komunikuar disa herë edhe pse në të njëjtën kohë është përballur me një fatkeqësi të madhe për Francën, humbjen e një mbi dyzine jetësh të ushtarëve francezë të angazhuar në operacionin paqeruajtës në Mali, ka vënë në lëvizje Ministrin e Brendshëm të Francës dhe strukturat e posaçme që janë transmetuar në një paketë prej 3 misionesh drejt Shqipërinë, duke nisur nga pasditja e djeshme dhe me gatishmërinë prë të vazhduar edhe sot sipas nevojës”, tha Rama.

Rama shprehu mirënjohje për Presidentin e Turqisë që ka komunikuar në fillim gjatë dhe pastaj edhe në mesnatën e ditës së djeshme, duke konfimuar vijimësisht gatishmërinë për të bërë gjithçka që është e nevojshme në ndihmë të të palosurve dhe të familjeve, përtej misionit special të parit të mbërritur po ashtu në buzëmbrëmjen e djeshme për t’u pasuar nga disa misione të tjera.

“Mirënjohje për Kabinetin e Kancelares, që ka vënë në lëvizje mekanizmin e solidaritetit; Presidentin e Serbisë, që po ashtu ka shprehur të gjithë gatishmërinë dhe ka dërguar një mision special; Kryeministrin e Kroacisë dhe dua të rreshtoj një shprehje të posaçme solidariteti nga miqtë e CDUsë, partisë kryesore të koalicionit në Gjermani, të cilët jo vetëm kanë dërguar një seri impresionuese mesazhesh nga anëtarë të grupit të Bundestagut, por kanë shprehur gatishmërinë për të bërë çdo gjë”, vijoi Rama.

Ai falenderoi edhe qeveritë e Rumanisë dhe Zvicrës, që pa asnjë komunikim të drejtpërdrejtë kanë lëvizur menjëherë dhe kanë nisur drejt Shqipërisë, dy misione të posaçme të kërkim-shpëtimit. “Falënderoj dhe Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, që ka transmetuar si gjithë të tjerët ngushëllimet më të sinqerta për popullin shqiptar, për familjet që kanë humbur njerëzit e tyre, apo kanë të plagosur në familjete e tyre, duke shprehur të gjithë gatishmërinë për të ndihmuar me çfarëdo qoftë nevoja”, tha Rama.

“Ky fill drite do të kishte qenë i paplotë nëse nuk do të kishte një solidarizim i jashtëzakonshëm nga Shqipëria, Kosova, diaspora dhe për çudinë time nga një numër i konsiderueshëm i medias italiane, jo për çfarë kanë bërë në aspektin e fushës së tyre profesionale, pro për aq shumë mesazhe që kanë dërguar duke shprehur gatishmërinë për t’u përfshirë në çfarëdolloj procesi për dhënien e ndihmës dhe solidaritetit”, tha Rama.

Kryeministri shprehu falënderimin për të gjithë trupat që janë përfshirë menjëherë në terren dhe u janë bashkuar trupave tona të sfilituara, kanë marrë lidershipin e operacioneve duke zotëruar një ekspertizë shumë më domethënëse se e jona që në këtë fushë është fare fillestare, sepse tërmetet janë një fenomene me të cilin nuk jemi hasur në të shkuarën për shumë dekada.

“Falënderim shumëi posaçëm për trupat speciale të Kosovës, që kanë mbërritur të parat dhe kanë shfaqur një kapacitet domethënës dhe vërtetë impresionues në mbështetje të trupave tona”, tha Rama.

Kryeministri shprehu po ashtu mirënjohjen për Maqedoninë e Veriut që shumë vëllazërisht kanë ofruar gjithçka. “Ndjesë që nuk i përmenda, por edhe unë nuk kam ardhur nga krevati, por nga ballkoni se kemi ndenjur deri shumë shumë vonë pothuajse në orët e para të mëngjesit në terren me kolegët”, tha Rama.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.