TIRANË, 27 nëntor/ATSH – I. Vata/- Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi drejtuese politike e PS-së për Tiranën, Elisa Spiropali, ka marrë pjesë sot në mbledhje emergjente me Komisionin e Mbrojtjes Civile të qarkut Tiranë.
“Bashkë me prefekten, Suzana Jahollari, zv.ministren e Brendshme, Romina Kuko, përfaqësues nga 5 bashkitë e qarkut, si dhe përfaqësues nga të gjitha strukturat e institucioneve që i kanë bërë ballë kësaj fatkeqësie natyrore, analizuam qartësisht situatën e deritanishme si dhe vendosëm objektivat imediate, duke nisur nga nevojat për ndihmë që ka çdo qytetar deri tek evidentimi i dëmeve materiale të shkaktuara nga tërmeti”, shprehet Spiropali.
Po ashtu, Spiropali thekson se “Vijon të ndiqet hap pas hapi situata në terren. Qendrat e emergjencës ne të gjitha bashkitë e qarkut janë duke ofruar ndihmë të vazhdueshme. Ka nisur strehimi i banorëve në ambiente provizore të sigurta. Kontrolli mjekësor nga bluzat e bardha i është ofruar çdo banori që ka pasur nevojë”.
“Situata mbetet në kontroll, ndërkohe të gjitha strukturat shtetërore janë në vigjilencë të plotë për çdo rast”, shprehet ajo. /j.p