Kujdes maksimal për të lënduarit nga tërmeti në spitalin e Traumës, 2 të plagosur mund të dërgohen për trajtim në Itali

Tiranë, 27 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se të lënduarve nga tërmeti i 26 nëntorit po iu ofrohet kujdesi maksimal nga ekipet mjekësore në vend dhe se partnerët ndërkombëtarë kanë ofruar ndihmë për çdo rast.

Duke folur nga Spitali i Traumës, në Tiranë, ku mëngjesin e sotëm vizitoi të plagosurit, Manastirliu bëri të ditur se “658 të lënduar nga tërmeti kanë marrë shërbim mjekësor në spitale, si pasojë e tërmetit dhe aktualisht po trajtohen 65 të lënduar, nga të cilët 8 janë në gjendje më të rënduar, nën kujdesin e mjekëve që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”.

Situata, vijoi ministrja, po monitorohet në çdo moment dhe se të gjitha strukturat janë të mobilizuara për të ofruar jo vetëm shërbimet shëndetësore, por edhe ato sociale e psikologjike në kampet që janë ngritur.

“Po punohet gjithashtu që krahas përballimit të situates të hartohet një plan afatgjatë stabilizimi”, – theksoi ministrja.

Partnerët italianë, shtoi ministrja, kanë ofruar ndihmë për trajtim më të specializuar dhe se po shqyrtohen dy raste të dy të plagosurve për t’u dërguar.

“Janë dy raste, një djalë 30 vjeçar me dëmtime në kokë dhe të gjymtyrëve dhe një vajzë 20 vjeçare, e cila ka kryer dy ndërhyrje kirurgjikale, por që po vlerësohen parametrat mjekësorë për transportin”, – deklaroi ministrja Manastirliu.

Ministrja siguroi se mjekët, stafi i shërbimit të traumës dhe spitalit të Durrësit kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.

Ministrja bëri të ditur po ashtu se po punohet në mënyrë që për asnjë moment të mos mungojë asgjë. Po ashtu konfirmoi gjendjen e gatishmërisë jo vetëm në spitale por edhe në qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti dhe në qendrat e emergjencës.

Ndërsa drejtori i spitalit të Traumës, tha se për të gjithë të dëmtuarit është ofruar ndihmë e menjëhershme.
Ai theksoi se nuk ka patur asnjë mungesë medikamentesh dhe se në Bankën e Gjakut ka patur gjak për të përballuar situatën.

“Nuk kemi patur problem për asnjë moment me bankën e gjakut, as me asnjë medikament të domosdoshëm për shërbimin e pacientëve. Nuk ka patur asnjë çedim nga pikëpamja e trajtimit. Është ofruar deri edhe shërbimi i psikologut në spital”, deklaroi kreu i shërbimit të Traumës

Kjo sipas tij, nuk do të thotë se nuk ka nevojpë për gjak pasi banka e gjakut duhet të jetë gjithmonë e furnizuar. a.gj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.