PRISHTINË, 27 nëntor/ATSH/ Pas tërmeteve që goditën Shqipërinë të martën e datës 26 nëntor, Kosova bëri detyrën vëllazërore duke u mobilizuar menjëherë.
Përveç ndihmës që shteti i Kosovës ofroi në bazë të kapaciteteve të tij, edhe qytetarët, organizatat dhe grupet e tifozëve u mobilizuan në të gjitha sheshet e qyteteve kryesore të vendit.
Mbrëmë janë dërguar kamionë me ndihma drejt Durrësit, ndërsa sot do të vijojë grumbullimi i i ndihmave të tjera në të gjitha qytetet kryesore, aty ku njerëzit e vullnetit të mirë kanë shpalosur një flamur kombëtar.
Në Prishtinë, në sheshin “Zahir Pajaziti” tifogrupi “Plisat” do të vijojnë prej orës 10 grumbullimin e ndihmave.
Në Gjakovë, në sheshin pranë Çarshisë së Vogël tifogrupet Kuqezinjtë e Jakovës dhe 1927 do të presin ndihma, ndërsa të njëjtin aktivitet kanë organizuar edhe Këshilli i Veprimit Rinor Lokal dhe Kryqi i Kuq.
Në Pejë pritet të vijojë aksioni për grumbullimin e ndihmave për banorët e prekur në Shqipëri.
Edhe komunat e Gjilanit, Ferizajt dje u janë përgjigjur masivisht thirrjes për ndihma dhe qytetarët pritet që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe sot./KosovaPress/