FOTO/ Zjarrfikësi hero nga Vlora, Luan Kapaj: Moment i vështirë, por ia dolëm të shpëtojmë jetë njerëzish

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ “Jam betuar që do të jem zjarrfikës dhe do t’i shërbej popullit tim, në çdo moment të vështirë të jetës që do të dal dhe do rrezikoj jetën time për të shpëtuar jetën e tjerëve. Ishin momente të vështira, por jemi betuar që do të bëjmë detyrën dhe ia dolëm të shpëtojmë jetë njerëzish nën rrënoja”.

Kështu u shpreh sot zjarrfikësi nga Vlora, Luan Kapaj, i cili ditën e djeshme së bashku me kolegët e tij nuk reshti një sekondë, duke u përpjekur të nxjerrë gjallë nga rrënojat e tërmetit, personat nën gërmadha.

“Ishte një moment i vështirë, pasi pallati ishte rrafshuar dhe kur njerëzit atje kërkojnë ndihmë ishte e pamundur mos t’i ndihmoje”, tha për mediet Kapaj.

Duke treguar për punën e tij dhe te kolegëve, Kapaj shprehet se “ishte një tunel që mezi u futëm për t’i shpëtuar, nxorëm të gjallë një grua dhe një burrë. Ishte e pamundur të mos rrezikoje jetën tënde për të shpëtuar jetën e tyre”, – theksoi ai.

“Ishte fati i tyre, por edhe detyra jonë”, – tha Kapaj.

Me keqardhje ai tregon se “shpëtuam dy jetë njerëzish, por fatkeqësisht lamë edhe dy jetë atje”.

“Sot do të vazhdojmë prapë mbase i nxjerrim të gjallë”, shpreson Kapaj.

I pyetur se çfarë ndjesie pati, Kapaj shprehet se “ne jemi mësuar me ngjarje tragjike kur tjetri të kërkon ndihme dhe ti je i detyruar ta nxjerrësh nga ai moment. Por në situatë të tillë për ti shpëtuar jetën një personi nën rrënojat e tërmetit nuk e kemi hasur”.

“Ishin momente të vështira, por ne jemi betuar dhe po bëjmë detyrën”-, tha Kapaj.

Bashkia e Vlorës e nderoi sot zjarrfikësin Luan Kapaj me titullin “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”, për sakrificën e jetës së tij për shpëtimin e njerëzve që ishin nën rrënoja.

Ditën e djeshme kur fuqitë e tij u duk se shterën dhe Urgjenca Kombëtare Shëndetësore, e detyroi të shtrihej mbi barelë, Luan Kapaj refuzoi maskën e oksigjenit dhe u rikthye tek gërmadhat, në kërkim të jetëve që kërkojnë shpëtim. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.