FOTO/ Durrës vijon shpërndarja e ndihmave, Sako: Solidarë më shumë se kurrë

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Bashkia e Durrësit vijon shpërndarjen e ndihmave në veshje dhe ushqime në të gjitha njësitë administrative për familjet e prekura në nevojë nga tërmeti i së martës.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, shprehu sot mirënjohjen për të gjithë qytetarët, por edhe për bizneset për mobilizimin e jashtëzakonshëm.

“Këto janë momente sa të dhimbshme, por në të njëjtën kohë na mbushim dhe me shpresë për solidaritetin e treguar në këto orë. Është sfida e njeriut ndaj natyrës, por, mbi të gjitha e jona ndaj asaj që ndodhi. Sot është momenti për të qenë të gjithë bashkë. Na duhet ndihma e kujtdo”, – theksoi Sako.

Kryebashkiakja Sako u shpreh se “në këtë ditë të vështirë për qytetin e Durrësit vazhdon beteja pa pushim për gjetjen e trupave që mund të jenë ende nën rrënoja dhe rikuperimin e dëmeve, vijon puna dhe për të mbështetur familjet e prekura nga tërmeti”.

Ajo bëri të ditur se pranë bashkisë është vendosur një pikë ndihmash ku çdokush mund të dhurojë, batanije, veshje dhe ushqime.

“Çdo minutë është e shtrenjtë në këto momente, ndaj mos të kursejmë asgjë dhe të ndihmojmë me gjithçka që mundemi. Sot më shumë se kurrë na duhet të jemi solidarë me njëri-tjetrin”, – tha Sako./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.