Ditë zie kombëtare në Shqipëri, Basha anulon vizitën në Athinë

TIRANË, 27 nëntor  /ATSH – I. Vata/- Kryetari i PD, Lulzim Basha, anuloi vizitën në Athinë, ku kishte planifikuar të festonte, bashkë me shqiptarët në Greqi, Ditën e Flamurit.

Basha ishte i ftuar të merrte pjesë në Kongresin e Nea Demokracisë. Lajmin e anulimit të kreut të PD-së e njoftoi kryetari i degës së PD në Athinë, Fatmir Gjoçi.

“Pas situatës së vështirë që po kalon vendi ynë, për shkak të fatkeqësisë natyrore që shkaktoi humbje jetësh, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha, e anulloi vizitën e tij në Athinë.”- shprehet kreu i degës së PD-së së Athinës.

Basha kishte planifikuar një sërë takimesh, me kryeministrin e Greqisë Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtme Nikos Dendias dhe një sërë personalitetesh të larta të shtetit grek, si dhe personalitete ndërkombëtare diplomatike, që ishin të ftuar në Kongres. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.