Certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, NISMA hyn në Kuvend

PRISHTINË, 27 nëntor/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Refuzimi i ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për numërimin e 392 pakove me fletëvotime të ardhura me vonesë nga diaspora në Komisionin Qendror Zgjedhor, i ka hapur rrugën këtij procesi.

KQZ mbledhjen e ka nisur me një minutë heshtjeje në nderim të viktimave nga tërmeti në Shqipëri.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve vjen pas konfirmimit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme se nuk ka ankesa apo çështje që ndikojnë në rezultatin final.

Në bazë të këtyre rezultateve LVV, renditet si parti e parë në këto zgjedhje dhe ka marrë 221.001 vota (26,270%), LDK e dyta me 206.516 vota (24,548%), PDK e treta me 178.637 vota (21,234%), koalicioni AAK-PSD 96.872 vota (11,515%), dhe zyrtarisht konfirmohet edhe koalicioni Nisma-AKR-PD, i cili e ka kaluar pragun duke marrë 42.083 vota, ose 5,002%.

Sipas këtij rezultati në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë që ka dalë në këto zgjedhje ka gjithsej 29 vende, LDK 28 vende, PDK 24 vende, Koalicioni AAK-PSD ka 13 vende, 10 vende i merr Lista Serbe, 6 vende ka siguruar koalicioni NISMA-AKR-PD, koalicioni Vakat 2 vende, Kosova Demokratik Turk Partisi 2 vende, ndërsa partitë tjera të pakicave do kenë nga një vend në Kuvendin e ri të Kosovës.

Në këto zgjedhje kanë pasur të drejtë vote 1 milion e 961 mijë 213 votues, ndërsa këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 826 mijë e 916 votues. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.