Zjarrfikësi hero nga Vlora, Luan Kapaj/Rama: Deri në frymën e fundit për frymën e fundit

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ -Kryeministri Edi Rama ka publikuar foton e një  zjarrfikësi vlonjat, Luan Kapaj, i cili nuk ka reshtur gjithë ditën duke u përpjekur të nxjerrë nga duart e vdekjes, jetët e murosura nën pirgjet prej betoni.

“Në ditë me diell, kjo do të titullohej thjesht, PHOTO OF THE DAY. Por sonte kjo foto kërkon shpjegim”, ka theksuar Rama.

“Ky njeri i zakonshëm i këtij vendi, quhet Luan Kapaj. Zjarrfikës në Vlorë. Qysh pa gdhirë sot, Luani dhe kolegët e tij vlonjatë, ishin përballë gërmadhave. U gdhi e u ngrys dita dhe ky burrë që s’e njeh askush, nuk rreshti një sekondë, duke u përpjekur të nxjerrë nga duart e vdekjes, jetët e murosura nën pirgjet prej betony”, është shprehur Kryeministri Rama.

“E kur fuqitë e tij u duk se shterrën dhe Urgjenca Kombëtare Shëndetësore, e detyroi të shtrihej mbi barelë, vlonjati i paepur refuzoi maskën e oksigjenit dhe u rikthye tek gërmadhat, në kërkim të jetëve që kërkojnë shpëtim! Luani është ende aty, tani që po flasim. Deri në frymën e fundit për frymën e fundit. HERO”, shprehet Rama.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.