Xhaçka: 45 persona të shpëtuar nga rrënojat e tërmetit, operacionet e kërkim-shpëtimit edhe gjatë natës

TIRANE, 26 nëntor/ATSH/- Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka deklaroi mbrëmjen e sotme se “ky ishte tërmeti më i forte që ka përjetuar vendi ynë që prej vitit 1979 dhe goditja e mëngjesit të sotëm  është shoqëruar nga 250 pasgoditje, të cilat sipas ekspertëve sizmiologë pritet të vijojnë, shpresojmë me intensitet me te ulet sic është trendi, deri ne stabilizimin e pllakave tektonike”.

Në një deklaratë për mediat, Xhaçka tha se “nata që kaloi ka qenë e vështirë dhe e di që sot, shumë qytetarë presin me shqetësim e frikë çdo të sjellë nata e sotme. Lutem për sa më shumë gjakftohtësi të jetë e mundur për të evituar çdo lëndim që nuk vjen nga tërmeti, por nga paniku. Ne po bëjmë gjithçka mundemi, po bëjmë detyrën tonë si qeveri për të adresuar situatën e rënduar ne zonat e prekura nga tërmeti. I gjithë shteti është në këmbë duke nisur nga ekipet e kërkim shpëtimit, efektivë e ushtrisë e policisë, mjekët, prefektët, kryebashkiakët, deputetët, i gjithë kabineti qeveritar, dhe qindra e qindra qytetare që janë solidarizuar duke dhënë ndihmën e tyre te palodhur e mbështetjen e pakursyer”.

“Ka patur shumë pyetje sot, sidomos mbi përmasat e dëmeve. Kërkoj mirëkuptimin tuaj, prioriteti ynë, edhe në momentin që po flasim është shpëtimi i çdo jetë që mund të shpëtohet.  Është e pamundur në këtë moment, kur të gjitha energjitë janë përqëndruar në operacionet e kërkim – shpëtimit, që të kemi një panoramë të detajuar të dëmeve.  Dëmet janë të mëdha, këtë e dimë. Ky ishte tërmeti më i forte që ka përjetuar vendi ynë që prej vitit 1979 dhe goditja e mëngjesit të sotëm  është shoqëruar nga 250 pasgoditje, të cilat sipas ekspertëve sizmiologë pritet të vijojnë, shpresojmë me intensitet me te ulet sic eshte trendi, deri ne stabilizimin e pllakave tektonike”.

Ajo përsërirti  apelin për çdo qytetar banesat e të cilit është dëmtuar: bëni kujdes e mos hyni në banesa, pa u bërë më parë inspektimi nga njësitë e specializuara.

“ Në respekt të qytetarëve dua të bëj një pasqyrë të situatës së deritanishme por theksoj edhe një herë se, informacioni përditësohet çdo minutë e shifrat mund të ndryshojnë.  Deri në orën 18.30 minuta raportohet se 21 persona kanë humbur jetën në prefekturën Durrës, saktësisht në Durrës dhe Thumanë si pasojë e shembjes së godinave. E theksoj se ky bilanc tragjik mbetet ende për t’u konfirmuar zyrtarisht nga strukturat përkatëse te shëndetësisë dhe rendit sipas protokollove te ekspertizës përfundimtare.  Në godinat e shembura vazhdon puna e kërkim shpëtimit, pasi një numër qytetarësh rezulton të jenë ende të bllokuar ndërkohe qe për disa të tjerë nuk ka raportime nëse janë ndodhur apo jo në banesa, në momentin e lëkundjeve të tokës”, tha ministrja.

Falë ndërhyrjeve të ekipeve të specializuara, tha Xhaçka, 45 persona kanë mundur të shpëtohen duke u nxjerrë nga rrënojat e duke u dërguar për ndihmë mjekësore. Rreth 600 banorë janë lënduar dhe kanë marrë ndihmën pranë spitaleve apo qendrave shëndetësore.

“Mësimi sot në të gjitha shkollat, universitetet, kopshtet e çerdhet është pezulluar dhe do të vazhdojë i pezulluar edhe nesër ndërkohe qe qeveria pak minuta me pare e shpalli 27 nëntorin dite zie kombëtare ne respekt te jetëve te humbura.  2 mijë efektivë të Forcave të Armatosura (efektivë xhenio, forcat speciale e ato komando), 1 900 efektivë të Policisë së Shtetit janë ne terren dhe gatishmëri te plote, bashke me ekipet e zjarrfikësve të bashkive, dhjetra ekipeve mjekësore dhe qindra qytetarë te cilët janë angazhuar në terren dhe janë në gatishmëri të plotë, për të bërë të mundur nxjerrjen dhe shpëtimin e personave të bllokuar në rrënoja apo ngritjen e çadrave dhe strehimin e familjeve, banesat e të cilave janë dëmtuar. Prej disa orësh, ekipeve tona të kërkim shpëtimit, të cilat po punojnë pa ndërprerje në Durrës e Thumanë,  i janë bashkuar mbi 200 efektivë, ekspertët më të mirë të emergjencave civile të ardhur nga Italia, Greqia, Franca, Turqia, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Rumania. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Zyrës Rajonale të Asistencës për Fatkeqësitë Natyrore do të asistojnë nevojat në terren. Faleminderit partnereve për solidaritetin”, tha ministrja.

Ajo tha se “paralel me operacionet e kërkim shpëtimit që do të vazhdojnë edhe gjatë natës, që prej prej mesditës së sotme, pranë stadiumit në Durrës dhe fushës së sportit në Thumanë nisi ngritja e 300 çadrave për strehimin e afro 1 mijë banorëve”.

“Gjithashtu Shtëpia e Pushimit të Ushtrisë në Durrës me kapacitet 200 persona është në dispozicion të banorëve në vështirësi. Janë 90  palestra në Tiranë, Durrës, Krujë e Lezhë te cilat po përshtaten per te akomoduar familjet e pastreha ne rast nevoje.  Krahas kapaciteteve akodomuese të siguruara nga pushteti vendor dhe ai qendror, jane shume hotele në Vlorë, Durres e Tiranë te cilat, ne shenje solidariteti, kanë ofruar strehim e trajtim për çdo bashkëqytetar në vështirësi.  Orët në vijim do jenë të vështira por solidariteti mes njëri – tjetrit dhe përkushtimi i çdo punonjësi në strukturat e specializuara do ta bëjë më të lehtë përballimin e një situate, që askush nga ne nuk do të donte ta përjetonte. Lutjet tona sot janë për çdo familje shqiptare, dhe ne veçanti per familjet qe kane humbur te dashurit e tyre dhe te gjithë atyre qe i mbijetuan kësaj tragjedie te paparashikuar. Kurajo dhe Zoti qofte me cdo familje Shqiptare”, përfundoi ministrja.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.