Tërmeti/ Ministri Aurescu- Cakajt: Ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave

TIRANE, 26 nëntor/ATSH/- Ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë, Bogdan Aurescu i ka dërguar një mesazh ngushëllimi, ministrit në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj lidhur me tërmetet shkatërruese të ndodhura në Shqipëri mëngjesin e sotëm që shkaktuan 18 të vdekur dhe rreth 600 të plagosur, krahas dëmeve materiale të konsiderueshme.

Në mesazhin e tij, ministri i jashtëm rumun ka përcjellë ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave dhe për popullin shqiptar, si dhe u uron shërim të shpejtë qindra të plagosurve.

Ministri Aurescu thekson në mesazhin e tij, reagimin e shpejtë të palës rumune, nëpërmjet dërgimit të menjëhershëm të një ekipi kërkim–shpëtimi, në kuadër të Inspektoratit të Përgjithshëm të Emergjencave, me pajisje dhe teknikë ndërhyrjeje, që është instaluar në Republikën e Shqipërisë me dy avionë, të venë në dispozicion nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, si dhe shpreh të gjithë gatishmërinë e vendit të tij për periudhën në vijim, sipas kërkesave të palës shqiptare. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.