Tërmeti dëmton muret e kalasë së Durrësit

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Lëkundjet e tërmetit të rëna mëngjesin e sotëm nuk kanë kursyer as monumentet e kulturës, të cilat datojnë prej shekujsh.

Kalaja e ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi I ka pësuar dëmtime të shumta, ku gurët e saj janë shembur.

Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Riparime të mureve janë kryer që prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.

Muret mesjetare aktualisht rreth 4,6 metra në lartësi dhe tri hyrjet e disa prej kullave të fortifikimit janë ruajtur në gati një të tretën e gjatësisë fillestare të qytetit kala.

Si pasojë e tërmetit të rënë mëngjesin e sotëm në orën 03:55, 6.3 ballë, u dëmtua edhe kalaja e Prezës në Tiranë./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.