Tërmeti, Conte: Italia është afër popullit mik shqiptar

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Kryeministri italian, Giuseppe Conte ka shprehur solidaritetin e Italisë pas tërmetit të rënë në Shqipëri, duke theksuar se janë dërguar menjëherë në Shqipëri njerëz dhe mjete të emergjencës.

“Italia është afër popullit mik shqiptar, i goditur keq nga tërmeti. Në mëngjes bisedova me Kryeministrin Edi Rama dhe menjëherë morëm masa për të dërguar në Shqipëri njerëz dhe mjete të emergjencës”, ka theksuar Conte në një reagim të tij.

Lëkundje të forta tërmeti u ndjenë sot rreth orës 03 e 55 minuta në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, raportohet se tërmeti ishte me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter.

Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana.

Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në disa qytete të tjera të vendit.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se “nga tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm vendin, janë shënuar 13 viktima, ndërkohë që vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “7 persona konfirmohet se janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat në Durrës, 5 në Thumanë dhe 1 në Kurbin”.

Ndërkohë, 38 persona janë shpëtuar në dy zonat e po marrin ndihmë mjekësore.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë, ndërsa së shpejti këtyre operacioneve do t’u bashkohen edhe skuadrat speciale të emergjencës nga 7 vende të tjera që kanë konfirmuar deri tani gatishmërinë për të ndihmuar.

/gj.mima/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.