Rama: Gjithçka për të shpëtuar çdo frymë njerëzore që ende ndodhet nën rrënoja

Gepostet von Edi Rama am Dienstag, 26. November 2019

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama, i cili që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm gjendet në terren së bashku me strukturat e emergjencave dhe grupet e kërkim-shpëtimit të të mbijetuarve nga tërmeti tragjik që preku vendin tonë, përmes një video komunikimi të drejtpërdrejtë me shqiptarët është shprehet se iu gjendet sot më pranë se kurrë të gjithë familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Kryeministri shprehu ngushëllimet e tij më të thella për ta, ndërsa siguroi të gjithë ata që presin me padurim për të gjendur familjarët e tyre të zhdukur apo që ndodhen ende nën rrënoja se qeveria po bën gjithçka në këto momente tragjike për të shpëtuar çdo frymë njerëzore.

“Të dashur miq, për së pari, së bashku me të gjithë ju marr pjesë në dhimbjen e thellë të familjeve që lotojnë për të humburit e tyre nën rrënojat e tërmetit shkatërrimtar të natës së kaluar. Rasti e deshi që në momentet e para pas lëkundjeve të forta të gjendesha pranë familjarëve përballë një rrënoje të madhe në Durrës prej ku forcat tona të ndërhyrjes nxorën një ndër viktimat e para dhe s’do ta harroj kurrë dhimbjen që i vëllai pati për motrën. Duke përcjellë të gjithë familjarëve të viktimave ngushëllimet e mia më vëllazërore në këto momente tragjike për ta de dua po ashtu t’i siguroj të gjithë familjarët e tjerë që presin me zemrën peshë dhe me sytë nga rrënojat se do të bëjmë deri në fund gjithçka që të shpëtojmë çdo fatkeq që fatmirësisht ende merr frymë nën rrënoja,” u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Ai tha se deri më tani janë shpëtuar 41 persona të mbetur nën rrënojat e tërmetit.

“Trupat tona të ndërhyrjes janë angazhuar të gjitha qysh në momentin e parë dhe po bëjmë çka mundemi. Kanë arritur të nxjerrin gjallë nga gërmadhat plot 41 persona deri në momentin që po flasim”.

Ndërkohë, tha Rama, kryetarë shtetesh dhe qeverish europiane kanë njoftuar se do të nisin skuadra speciale emergjencash, duke shprehur kështu ndjenjën e tyre të fortë të solidaritetit ndaj popullit shqiptar në këto orë të vështira si dhe ngushëllimet e tyre më të sinqerta për familjet e viktimave.

“Kanë mbërritur të parat trupat speciale të Kosovës me porosi të pres Thaçi i cili më ka shprehur të gjithë solidaritetin deh gatishmërinë e shtetit vëlla të Kosovës në këtë moment kur Shqipëria është goditur nga një fatkeqësi kaq e madhe. Kanë mbërritur tanimë helikopterë ushtarakë të ndihmës së specializuar italiane, si dhe një skuadër nga mali i Zi. Ka kaluar kufirin e Kakavijës një autokolonë forcash nga Greqia dhe janë drejt Rinasit mjetet ajrore të emergjencave nga Italia dhe Greqia përsëri. Po ashtu nga Turqia, Franca dhe Rumania e Kroacia. Gjermania ka vënë në lëvizje mekanizmat e saj të solidaritetit ndërsa ambasada e SHBA kanë komunikuar qysh herët në mëngjes gatishmërinë e tyre më të madhe në mbështetje të Shqipërisë,” shprehet Kryeministri.

Kryeministri siguroi se i gjithë shteti është në krye të detyrës që prej orës së tërmetit.

“Motra dhe vëllezër kjo fatkeqësi kërkon një kurajo të jashtëzakonshme, durim të madh, solidaritet njerëzor të veçantë dhe sa më shumë qetësi. E di që kurajoja durimi e lëre më pastaj qetësia janë më të lehta të thuhen sesa të gjenden në këtë situatë kaq ekstreme për ndjenjat tona, por së bashku do ta përballojmë edhe këtë pabesi të madhe të natyrës.Qeveria ka dalë në terren që prej momenteve të para dhe është në krye të detyrës, por sot gjithkush ka diçka më shumë se zakonisht për të bërë: Mjekët dhe infermierët për qindra të plagosur që duhen kuruar; Të gjithë ne të tjerët për mijëra të tjerët për dëmet që duhen mbështetur. Një fjalë e njohur thotë sidoqoftë “çfarë nuk të vret, të forcon” dhe besomëni se, plaga e sotme e madhe do të na bëjë më të fortë nesër,” e mbylli mesazhin e tij Kryeministri Edi Rama. /a.sh./ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.