Prefekti i Qarkut Tiranë mbi situatën e krijuar nga tërmeti

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Në kuadër të situatës emergjente të krijuar si pasojë e tërmetit më datë 26 nëntor 2019 institucioni i Prefektit të Qarkut Tiranë ka qenë në vazhdimësi në terren për ndjekjen e situatës në vend dhe ardhjen në ndihmë banorëve sipas shqetësimeve të ngritura nga njësitë vendore.

Që në minutat e para të rënies së tërmetit, Prefekti dhe administrata e tij kanë qenë në terren, si dhe kanë komunikuar me të gjitha bashkitë e Qarkut për mobilizimin e tyre për përballimin e situatës.

Të gjitha bashkitë kanë mbledhur Komisionet e Emergjencave Civile dhe janë në terren me grupet e punës për konstatimin, marrjen e masave dhe ardhjen në ndihmë të banorëve.

Sot Prefektja e Qarkut Tiranë, Suzana Jahollari mblodhi Komisionin e Planifikimit e Përballimit të Emergjencave Civile ku ishin të pranishëm zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko, kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi si dhe përfaqësues të 5 bashkive të Qarkut si dhe të institucioneve që janë pjesë e Komisionit të Qarkut të Emergjencave Civile.

Në këtë takim që u drejtua nga Prefekti i Qarkut u diskutua për masat emergjente për të përballuar situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga tërmetet e sotme, si dhe u dha një pasqyrë për situatën e dëmtimeve për çdo bashki.

Për sa më sipër, u vendos që bashkia Tiranë të ketë 27 pika kontakti nga njësitë administrative për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe 5 qendra sociale. Në dispozicion të bashkisë Tiranë do të jenë 30 specialistë nga kontingjenti i evakuim-shpëtimit nga donatorët e huaj.

Bashkia Vorë do të ketë qendra sociale në Vorë dhe Marikaj. Në dispozicion të bashkisë Vorë nga operatori i shërbimit shëndetësor do të vendoset dhe një autoambulancë.

Në bashkinë Kavajë do të dërgohen 5 specialistë shpëtimi.

Në bashkinë Kamëz u vendos të hapen 2 qendra pritëse pranë stadiumit dhe në Paskuqan.

Pranë çdo pike të emergjencave të përkohshme do të jenë në dispozicion përfaqësues të shërbimeve zjarrfikëse, operatorit të kujdesit shëndetësor, policisë së shtetit, policisë bashkiake, njësisë së administrative dhe Kryqit të Kuq.

Institucioni i Prefektit është në gatishmëri me gjithë administratën e tij për të ndjekur situatën dhe po komunikon në vazhdimësi për të pasur një informacion të përditësuar dhe real të situatës në gjithë bashkitë e Qarkut dhe njësitë administrative si dhe institucionet në nivel vendor dhe qendror.

Prefekti i Qarkut Tiranë, si kryetar i KECQ aktualisht, ka hartuar një inventar të resurseve në rang Qarku, në burime njerëzore, mjete pajisje, nevoja ushqimore, çadra, shtretër, ilaçe etj.

Rezervat e Shtetit po veprojnë me maksimumin e kapaciteteve dhe janë në gatishmëri të vazhdueshme.

Prefekti i Qarkut Tiranë dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë iu bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve për solidaritet në këtë kohë të vështirë.

Gjithashtu i bëjmë thirrje qytetarëve që të mos futen në panik, të ruajnë qetësinë, të qëndrojnë larg pallateve të dëmtuara, të mos përdorin ashensorët dhe në rastet më emergjente t’i drejtohen qendrave sociale dhe pikave të grumbullimit të ngritura nga Bashkitë, dhe në çdo rast t`i drejtohen numrit të policisë së shtetit 112.

Institucioni i Prefektit të Qarkut, pushteti vendor, strukturat e policisë dhe gjithë strukturat e tjera në nivel vendor, do të vazhdojnë të qëndrojnë në krye të detyrës, në terren, në bashkëpunim dhe koordinim të gjithë së bashku. /a.sh./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.