Manastirliu: 600 persona kanë marrë ndihmë mjekësore në spitale si pasojë e tërmetit

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot nga spitali i Durrësit se “deri në këtë orë të mesditës janë më shumë se 600 të lënduar që kanë marrë shërbim nga bluzat e bardha në spitalin e Durrësit, QSUT dhe spitalin e Traumës, në spitalet në Kurbin dhe Lezhë”.

“Jemi të gjithë në gjendje gatishmërie jo vetëm me ekipe mjekësore të shtuara në të gjithë spitale por edhe me ekipet mjekësore në urgjencën kombëtare përmes Qendrës së Koordinimit të Urgjencave ku kemi patur deri tani më shumë se 500 thirrje. Kanë ardhur për të kërkuar ndihmë sa i përket shërbimit kombëtar të urgjencës, i cili ka realizuar deri tani më shumë 120 misione në banesë, misione jetëshpëtuese dhe i ka transferuar në spital të gjithë të lënduar që kanë patur nevojë për trajtim shëndetësor”,- theksoi Manastirliu.

Sipas saj, i gjithë trajtimi shëndetësor po bëhet sipas protokolleve të mjekimit, ndërkohë në të gjitha spitalet janë aktivizuar që në momentin e parë.

“Jemi duke bërë një koordinim sa i përket Qendrës Kombëtare të Urgjencave Mjekësore, ku edhe trupa të mjekëve dhe infermierëve na janë bashkuar nga rrethe të tjera të vendit, për të mobilizuar më shumë Shërbimin Kombëtar të Urgjencës, përmes flotës së automjeteve, të shtuara dhe ekipeve të shtuara për ti pasur në terren në çdo moment. E rëndësishme është të shpëtohet çdo jetë që ende është e rrezikuar në rrënoja”, – tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “nuk kemi raste që të jenë në rrezik për jetën. Në spitalin e Traumës kemi 3 raste të vështira, të cilat po trajtohen sipas protokolleve mjekësore”.

Ajo shtoi se do ti mbajë mediet dhe qytetarët të informuar për gjendjen në vazhdim./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.