Bashkia Kurbin ngre çadra pranë gjimnazit “Migjeni” për banorët, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti

TIRANË, 26 nëntor  /ATSH – I. Vata/- Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Shqalsi, deklaroi sot se janë ngritur  çadra pranë gjimnazit “Migjeni” të qytetit Mamurras për kalimin e natës së sotme nga banorët.

“Po përballemi me një situatë të jashtëzakonshme dhe me dëme të shumta të shkaktuara nga lëkundjet e tërmetit. Fatkeqësisht edhe me jetë të humbura. Ngushëllimet më të thella për këto familje që humbën të afërmit e tyre dhe dita e sotme iu kthye në një tragjedi”, shprehet ajo.

Shqalsi thekson se “Bashkia Kurbin ka ngritur çadra pranë gjimnazit të qytetit për kalimin e natës së sotme për banorët të cilët i kanë të pabanueshme shtëpitë e tyre, dhe që fatkeqësisht janë një numër i madh. Në Mamurras, familjet në nevojë po akomodohen në çadrat e ngritura në oborrin e shkollës “Migjeni”.

“Gjithashtu janë shpërndarë çadra dhe do shpërndahen në vazhdim nëpër banesa private. Çdokush që ka mundësi të ndihmojë një të afërm, të moshuar, fëmijë që ka nevojë për strehim, ushqim apo qoftë edhe për kurajo e optimizëm në këto momente të vështira për të gjithë. Bashkë do ta kalojmë edhe këtë sfidë”, shprehet ajo.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.