42 të shpëtuar nga tërmeti, Manastirliu: 190 misione të kryera

TIRANË, 26 nëntor  /ATSH – I. Vata/- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se janë më shumë se 300 mjekë dhe infermierë të angazhuar për të siguruar gjithë ndihmën e nevojshme.

Ministrja Manastirliu në një prononcim për mediet, tha se “35 është numri të lënduarve që ende janë në shërbimet e spitalit të Traumës duke marrë terapitë dhe shërbimet përkatëse. 9 paraqiten raste më të rënda të cilët janë në observim dhe mjekët dhe infermierët po i observojnë për të parë më vonë edhe situatën e tyre shëndetësore, por shpresojmë që çdo gjë do të shkojë mirë dhe në këto raste janë mjekët që do të flasin për situatën shëndetësore të 9 rasteve që janë në traumë”.

Po ashtu, Manastirliu tha se në Spitalin Rajonal të Durrësit situata është më e qetë.

“Ndërsa në spitalin e Durrësit gjendja është më e qetë, janë 25 të lënduar të cilët janë në repartet e Spitalit Rajonal të Durrësit, kryesisht në repartet e ortepedisë dhe ato të urgjencës ku po marrin trajtimin mjekësore sipas protokolleve shëndetësore, ndërkohë që Urgjenca Kombëtare ka 48 ekipe mjekësore dhe infermierë në terren, para është  duke u koordinuar nga Qendra Kombëtare e Urgjencës më shumë se 950 thirrje kanë mbërritur në qendrën e koordinimit dhe 190 misione janë kryer për të referuar pikërisht të lënduarit dhe për të ofruar ndihmë në terren për të dhënë ndihmën e parë dhe ë pas për t’i transferuar në spital për të marrë një ndihmë më të specializuar”.

Më tej, Manastirliu theksoi se  “jemi dhe do të mbetemi në kontakt me ju  për t’u informuar në dinamikë për situatën. Çdo sekondë për ne është shumë e vlefshme. Jemi çdo sekondë në terren në spital me ekipet tona të urgjencës. Më shumë se 300 mjekë dhe infermierë të angazhuar për të siguruar gjithë ndihmën e nevojshme dhe tani për ne është të shpëtojmë më shumë njerëz”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.