UKT: Nga muaji dhjetor, në faturën e ujit do të përfshihet edhe pagesa për taksën e ndërtesës

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Drejtoria e Ujësjellësit të Tiranës njofton se nga muaji dhjetor, në faturën e ujit do të përfshihet edhe pagesa për taksën e ndërtesës, pas fushatës ndërgjegjësuese për kryerjen e procesit të vetëdeklarimit. Sipas Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve, taksa e ndërtesës llogaritet sipas formulës: Vlera e ndërtesës x 0,05% = Taksën Vjetore të Ndërtesës.

Deri tani bën të ditur ky institucion, janë rreth 90 mijë abonentë familjarë që e kanë kryer vetëdeklarimin. Ndërsa për ata qytetarë që nuk e kanë kryer ende këtë proces dhe për banesat që nuk ka asnjë të dhënë do të veprohet sipas VKM-së përkatëse.

“Nëse identifikohet ekzistenca, por nuk arrihet të përcaktohet sipërfaqja e ndërtesës apo e njësisë pronësore, përdoren vlerat referuese për sipërfaqe. Konkretisht 100 metra katrorë sipërfaqe për njësi pronësore, për ndërtesat për banim dhe 70 metra katrorë sipërfaqe për njësi pronësore, për ndërtesat për banim, të privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar. /a.sh./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.