Platforma kundër “KÇK”, Hodaj: Masa të përkohshme në luftën kundër krimit të organizuar

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj i ftuar në një nga mediet e vendit u shpreh se platforma kundër “KÇK” ka ardhur si pasojë e situatës së veçantë të krijuar me nisjen e vetingut ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Kjo është një situatë e veçantë dhe situatat e veçanta kërkojnë edhe marrjen e masave të specializuara. Duhet lidhur shumë edhe më atë që ka qenë edhe ecuria e Reformës në Drejtësi. Pra, në qoftë se është nisur të diskutohej për Reformën në Drejtësi që në 2013, u materializua në 2016 në Kushtetutë dhe filloi në 2017 si proces dhe jemi akoma brenda procesit. Pra, ka një veting prokurorësh e gjyqtarësh që po ecën, ka ngritje organesh të reja etj.. Një situatë dhe një emergjencë që paraqitet sot, është marrja e disa masave të përkohshme në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar. Do të doja të besoja që janë një pakicë prokurorësh dhe gjyqtarësh që janë të sigurt që nesër nuk do të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, në pritje të Vetingut të tyre, që do të jetë edhe mekanizmi që t’i pastrojë përfundimisht, po veprojnë në mënyrë gati-gati të jashtëligjshme”, – u shpreh zëvendësministri i Brendshëm.

I pyetur se sa efektive do të jetë kjo platformë, Hodaj u shpreh se “ne besojmë se do të jetë goxha efektive, sepse nuk është se po shkelim në një rrugë të pashkelur. Në qoftë se do të kthehemi pak mbrapa, do të shohim që në adresimin e luftës kundër krimit të organizuar, që përbën një shqetësim jo vetëm për organet ligjzbatuese, por edhe për publikun në përgjithësi, Shqipëria ka ndërmarrë përherë, që në 2004 një rrugë të specializuar në këtë drejtim që kur u miratua ligji i parë antimafia, që kur u futën mekanizmat e Gjykatës për Krimet e Rënda, që kur u fut së afërmi regjimi “Bis” nëpër burgje, pra është në vazhdimësi të saj. Pra, situatat e veçanta kërkojnë marrjen e masave të specializuara për t’i bërë ballë atyre që janë kërkesa të kësaj situate faktike të momentit”.

Sipas tij, kjo platformë kundër “KÇK” i është referuar atyre më të përparuara, si ato italiane apo britanike. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.