Paketa speciale AntiKÇK”/ Hyseni: E konsultuar me ekspertë ndërkombëtarë, frikë dhe terror nga ata që kanë bërë zullume të mëdha me shqiptarët

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, gjatë një interviste televizive deklaroi se paketa speciale AntiKÇK e prezantuar sot nga Kryeministri Edi Rama  është konsultuar me ekspertë jo vetëm vendas, por edhe ndërkombëtarë.

Hyseni tha se Reforma në Drejtësi kërkon kohën e vet ndaj edhe do të merren masat paraprake në mënyrë që sistemi gjyqësorë të mos funksionojë më me metodën “Kap çfarë të kapësh”.

“Fatkeqësisht ka KÇK, dhe për sa kohë ka KÇK është detyra jonë, kemi marrë votën për këtë dhe ne duhet të ndërhyjmë. Duhet të jemi realistë që fenomeni ka ekzistuar edhe më përpara, por për shkak të klimës që ka krijuar reforma, një klimë frike dhe terrori për të gjithë ata që kanë bërë zullume të mëdha dhe kanë ndyer duart me paratë e shqiptarëve në çdo formë, qoftë në aspektin kriminal, apo akoma më keq kur janë në formën tutoriale të krimit”, – tha ai.

“Ne nuk mund të presim të gjithë kohën që të përfundojë reforma, ka kohën e vet e cila është e përcaktuar në ligj. Ne nuk mund të presim që një gjykatës apo prokuror të dalë nga sistemi pas një viti apo dy vjetësh, ndërkohë që gjatë këtyre dy viteve ai mund të mbajë sëpatat ngritur mbi kokat e shqiptarëve sa herë që i paraqiten gjykatës apo në sallën e gjyqit të drejtuar prej tij. Në këto kushte ne do të ndërhyjmë fuqishëm. Nuk ka qenë një zgjedhje me dëshirë, nuk ka qenë e parashikuar, por në këto kushte, ne do të ndërhyjmë fort. Kjo është paralajmëruar nga Kryeministri. Është punuar, konsultuar dhe debatuar prej gati një muaj. Kur them është konsultuar flas për ekspertizën më të lartë të mundshme, ekspertizë vendase dhe ndërkombëtare dhe sot ju paraqit publikut platforma, e cila nuk është ilaçi për të kuruar problemin. Kjo është goditja radikale e fenomenit në gjendjen aktuale. Është një platformë në masën dërrmuese është bazuar në përkohshmëri. Ne besojmë që shumë shpejt do të ngrihen institucionet që kuptohet për shembull, do t’ia bëjmë më të lehtë publikut, situata në drejtësi ka ndodhur, ka rrjedhur si pasojë e frikës nga reforma, ku anëtarë të sistemit të drejtësisë të cilët janë të sigurt që nuk i kalojnë filtrat e Vetingut, e kanë konceptuar çdo ditë që janë aty si ditën e fundit. Ky ka qenë një koncept i prodhuar prej tyre, nuk e ka prodhuar kryeministri, nuk e ka prodhuar Partia Socialiste konceptin “KÇK”. Ka rrjedhur nga vetë gjyqësori”, – u shpreh Hyseni.

Më tej deputetit socialist shtoi se “ne kemi edhe lajmin e mirë që sot Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hedhur 8 emrat e parë dhe besoj se do të ketë zgjidhje e cila është artikuluar edhe për dy emra të tjerë dhe bën funksionale SPAK-un dhe ky është një lajm i madh për shqiptarët. Menjëherë pas tij, procedurialisht kryhet zgjedhja e drejtuesit të SPAK-ut dhe strukturat përkatëse prodhon edhe BKH dhe plotësimin  e kësaj strukture kompletimin e dy mekanizmat bazë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Hyseni theksoi se nuk ka mbivendosje kompetencash mes policisë dhe strukturave të SPAK apo BKH-së, pasi sipas tij, platforma e prezantuar nga Kryeministri është konceptuar si një hallkë paraprake administrative.

“Nuk ka farë mbivendosje kompetencash. Nuk i ndërhyhet SPAK-ut ose BKH-së në punën e tyre. Procesi së pari, është konceptuar si një hallkë paraprake administrative dhe natyrisht që jo vetëm nuk i mbivendoset, por është e ndërthur pozitivisht me punën e SPAK-ut dhe BKH-së. Ne po flasim për raste të cilat nuk kanë arritur që të jenë objekt i punës së SPAK dhe BKH-së. Kur të arrijnë të jenë objekt i punës së tyre, patjetër trajtohen sipas legjislacionit dhe kalojnë nëpër filtra gjyqësorë përkatës për të arritur në një vendim apo në një vendimmarrje të drejtësisë së re që po vjen tashmë, lidhur me inkriminimin apo jo të rastit”, – tha deputeti i PS-së.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.