Majko: E papracedent për një President të dalë dhe të bëjë miting

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, në një prononcim për mediet e ka quajtur të paprecedent thirrjen e Presidentit Ilir Meta për një tubim mbarëpopullor në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti në datën 8 Dhjetor, me të cilin ai synon Nisjen e një Dialogu me Shqipërinë.

Ministri Majko shprehet se në asnjë vend tjetër demokratik nuk mund të ndodhë që Presidenti të thërrasë një miting, pasi detyra e tij është të përfaqësojë të gjithë qytetarët shqiptarë.

“Nuk është koha për tubime, 8 Dhjetori i takon një situate të caktuar. Presidenti i duhet të ulë palët në tavolinë dhe jo të bëhet palë. Nuk e kuptoj të dalë Presidenti nëpër Shqipëri dhe të bëjë miting. Nuk di të ekzistojë ky precedent në vende të tjera Perëndimore ku ne aspirojmë,” u shpreh Majko.

Presidenti Meta pretendon të risjellë në 8 dhjetor 2019 të ashtuquajturën “Lëvizja e Dhjetorit 1990” me tubimin e paralajmëruar në Qytetin Studenti, aty ku dhe nisi Lëvizja Studentore e viteve ’90. /a.sh./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.