Komisioni i Jashtëm miraton buxhetin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Komisioni për Politikën e Jashtme në kuadër të diskutimit të projektligjit “Për buxhetin 2020” diskutoi dhe votoi sot nen për nen pjesën e buxhetit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Të pranishëm në mbledhjen e Komisionit ishin përfaqësues të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ashtu si dhe përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë të cilët u vunë në dispozicion të kërkesave të deputetëve për të dhënë shpjegimet e nevojshme.

Komisioni u shpreh dakord që t’i rekomandojë Komisionit përgjegjës një rishpërndarje të fondeve për këtë Ministri, nisur nga angazhimet e shumta të tyre për vitin që vjen.

Gjatë diskutimeve në Komision opozita tha se shpreson që mazhoranca dhe konkretisht Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të jenë në gjendje që të realizojnë me sukses marrjen e Presidencës së OSBE-së për vitin e ardhshëm, ndërsa buxheti sipas tyre nuk parashikon në detaje aktivitetet e ministerialet që do të duhet të zhvillohen në vend.

Por Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Armand Skapi tha se mbështetja e qeverisë është e padiskutueshme, sidomos për vitin 2020, kështu që në çdo moment që do të ketë nevojë për fonde shtesë, qeveria ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur institucionin që ai drejton. /a.sh./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.