Figurat e njohura të ekranit i bashkohen fushatës kundër dhunës ndaj grave

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Në çeljen e fushatës së 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, figura të njohura të ekranit e medies kanë bashkuar zërin për të inkurajuar çdo viktimë të dhunës për të mos heshtur më.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu postimin e saj e ka shoqëruar me një video ku personazhet e njohura flasin për eksperiencat e tyre të dhunës.

“Në çeljen e fushatës së 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, bashkojmë zërin dhe forcën me Jonidën, Gertën, Dhuratën, Enidën, Alicen, Erjonën, Zhaklinën, Estelën dhe çdo grua që është përballur me dhunën e çdo forme, për t’i thënë se nuk janë vetëm dhe për t’i mbështetur që t’ja nisin nga e para”, – thotë Manastirliu.

“Në Shqipëri 1 në 2 gra kanë përjetuar dhunë të paktën një herë në jetën e tyre dhunë, nga i dashuri, ish i dashuri, nga një i panjohur, në familje, në transport publik. Një i panjohur më dërgonte mesazhe shqetësuese dhe shumë kërcënuese në “Facebook”, madje më ndiqte çdo ditë nga mëngjesi në darkë kudo që shkoja”, – thotë producentja Jonida Shehu.

“Im atë ishte emocionalisht dhe fizikisht i dhunshëm, si me mua, ashtu edhe me time më”, – thotë aktivistja Alice Taylor.

“Si avokate që merrem me çështje penale, përgjithësisht kam hasur me atë që burrat më konsiderojnë të pashme dhe vetëm kaq”, – thotë Enida Bozheku, avokate.

“Para shumë vitesh udhëtoja drejt Shkodrës që ndiqja studimet e larta. Pasi zbritëm të gjithë nga fugoni mbeta vetëm me shoferin dhe ai më ngacmoi”, – thotë Dhurata Thanasi, ish-punonjëse e Kombeve të Bashkuara.

“Lidhja ime e parë ka qenë me një person të dhunshëm. Unë isha 17 vjeçe. Por unë vendosa të kërkoj ndihmë dhe vetëm kur kërkova ndihmë dola nga cikli i dhunës”, – thotë drejtuese programi në radio, Gerta Heta.

“Kur kam qenë në vit të dytë në gjimnaz, një nga këta të fortët e lagjes më kërkoi që të lidheshim, refuzova. Një ditë ndërsa isha në korridorin e shkollës, ai m’u afrua dhe më qëlloi fort me shpullë”, – thotë Eriona Rusi, gazetare.

“Ish i dashuri më ka tërhequr zvarrë për disa metra, sepse nuk pranoja të kthehesha më me të”, – thotë Zhaklin Lekatari, gazetare.

“Kur u dashurova me atë që sot është babai i tri vajzave të mia, familja ime nuk ishte dakord dhe vendosën të më martonin më dikë tjetër”, – thotë Estela Ujka, blogere. /z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.